Pastat dhe bulmeti për 9 denarë më lirë. Bekteshi: Po bëhen analiza edhe për orizin, vezët edhe sheqerin

TË FUNDIT

Makaronat, spagetat, djathi, qumështi, gjiza dhe kosi janë vetëm disa nga produktet që nga 16 marsi do të mund t’i blini me çmim më të lirë prej mesatarisht 9 denarë. Qeveria solli vendime për ngrirjen e çmimeve të pastave dhe bulmetit, si dhe heqjen e detyrimeve doganore për importin e spagetave dhe makaronave, të cilat prodhohen dobët ose aspak në vend. Çmimi i pastave do të lirohet për 15%, ndërsa i bulmetit për 10% dhe çmimet e tyre do të ngrihen, njoftoi Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Ngrihet, gjegjësisht zvogëlohet çmimi i pastave, ulje e cila rekomandohet të jetë 15% në çmimin që është në tregun me pakicë nga një marsi, 2023, apo mesatarisht për 8-9 denarë, bëhet fjalë për pasta, makarona dhe spageta, si dhe hiqen detyrimeve doganore për importin e këtyre produkteve nga 13 marsi 2023 deri 31 maj 2023, po ashtu ngrihen edhe çmimet e produkteve qumështore”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dha shembull se si do të duket ulja e çmimeve.
“Për shembull nëse çmimi më një mars në shitjen me pakicë të një X produkti ka qenë 80 denarë, më 16 mars minimalisht duhet të jetë 72 denarë, në fakt maksimum, kërkoj ndjesë, që është ulje për 10%. Besoj se ka kompani që janë të përgjegjshme që janë të gatshme të ulin profitin e tyre dhe të shkojnë edhe më poshtë se 72 denarë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Vendimi hyn në fuqi më 16 mars, për t’u dhënë hapësirë të gjithë importuesve që të ndryshojnë të gjitha kontratat me furnitorët dhe shitësit. Ndërkaq Bekteshi bëri të ditur se javën e ardhshme do të bëhen analiza për sheqerin, vezët dhe orizin dhe tha se ka mundësi të merren vendime të ngjashme edhe për to.
“Nëse nuk ka ulje të çmimeve që ishin më një mars deri në javën e ardhshme, do të pasojnë vendime të reja. Ky nuk është kërcënim, kjo është sjellje e përgjegjshme e Qeverisë në kohë krize. Presim solidaritet nga të gjithë biznesmenët, që kriza të mos jetë në kurrizin e qytetarëve, të konsumatorëve, ndërsa hapësirë për ulje çmimesh ka, marrë parasysh çmimet e importit dhe çmimin me të cilin ato prodhojnë prodhimet e tyre”, sqaroi Bekteshi.

Paraprakisht, Qeveria e ngriu çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë nga 450 gramë në 33 denarë, pasi analizat e Ministrisë së Ekonomisë dhe kontrollet inspektuese kanë treguar se disa kompani nuk i kanë ulur çmimet edhe pse kanë shfrytëzuar rrymë të subvencionuar. Kjo shkaktoi pakënaqësi te furrtarët, të cilët për disa ditë nuk shpërndanin bukë nëpër dyqane. Problemi u tejkalua pasi Qeveria mori një vendim që detyronte prodhuesit dhe tregtarët e bukës të prodhojnë dhe shesin bukë me çmim të ngrirë.