Pasojat mbi ekonominë do të varen nga ajo se sa do të zgjasë korona-kriza, qeveria ka ndërmarrë masa si ato në BE

TË FUNDIT

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa për ballafaqimin me pasojat e Kovid 19, të ngjashme me ato të marra nga vendet anëtare të BE-së, siç janë kreditë për ndërmarrjet, shtyrjet e pagesës së taksave, subvencionet për prill dhe maj. E gjithë kjo i lejon likuiditet ekonomisë, mbajtjen e vendeve të punës dhe zvogëlimin e rrezikut të falimentimit të kompanive. Në këtë kuptim, ato janë masa logjike, siç thashë, të ngjashme me ato në BE.

Këtë në brifing për gazetarët e deklaroi Frek Janmat, shef i Departamentit Ekonomik të Delegacionit pranë Komisionit Evropian në vend, duke e prezantuar raportin për parashikimet ekonomike të KE-së për Maqedoninë e Veriut.

Në raportin, siç theksoi Janmat, thuhet se pas përshpejtimit të rritjes ekonomike në vitin 2019, perspektiva ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i pandemisë me Kovid-19. Kërkesa e jashtme është goditur shumë nga ndërprerjet e tregtisë, ndërsa kufizimet lokale po e ngadalësojnë kërkesën e brendshme.

“Rritja e ekonomisë ishte 3,6 për qind në vitin 2019, por kjo u ndërpre rëndë në mars me shpërthimin e pandemisë që shkaktoi një mbyllje masive të ekonomisë, ndërprerje të tregtisë dhe e gjithë kjo çoi në parashikime me të cilat parashikojmë një rritje negative prej 3.9 për qind”, thotë Janmat, duke i prezantuar parashikimet e KE-së.

Kriza e goditi vendin në një kohë kur hapësira fiskale është e kufizuar dhe kur borxhet e mëdha duhet të paguhen në vitin 2020 dhe 2021. Sipas parashikimeve, rënia e pritshme e të ardhurave në vitin 2020 do t’i rrisë nivelet e borxhit, më shumë se sa parashikohej dhe pritej. Në varësi se sa kohë do të zgjasin kufizimet dhe sa të rrepta do të jenë, raporti i borxhit mund të stabilizohet në nivelin që ishte në vitin 2019 vetëm pas vitit 2021, thonë vlerësimet e KE-së.

Sa i përket punësimeve, në raportin e KE-së theksohet se krijimi i vendeve të punës ishte mjaft i madh në vitin 2019, ndërsa shkalla e papunësisë ishte në rënie, në vitin 2020 do të ketë kthesë. Pezullimi i disa ndërmarrjeve ka çuar në pushime të detyruara vjetore dhe ulje të pagave. Parashikimet, sipas raportit, janë që derisa vitin e kaluar shkalla e papunësisë ishte 17.3 për qind, këtë vit do të jetë afërsisht 18.1 për qind.

Në raportin për parashikimet e KE-së për Maqedoninë e Veriut gjithashtu theksohet se nëse kriza e koronës vazhdon edhe gjatë verës, ajo do të çojë në rënie të punësimit, ulje të të ardhurave dhe shpenzimeve, si në familje ashtu edhe në qeveri.

Në lidhje me atë nëse situata me krizën e koronës do të shkaktojë efekte të rënda në ekonominë e Maqedonisë, Janmat tha se përgjigjja e kësaj pyetje varet nga ajo se sa do të zgjasë kjo situatë.

I pyetur nëse është koha e duhur të bëhet ribalancim i buxhetit, të shkurtohet nga shpenzimet dhe çfarë është mendimi për pagat në sektorin publik, ai tha se ky është vendim i qeverisë.

“Për buxhetin plotësues dhe për pagat në sektorin publik, varet nga ajo se si do të vendosë Qeveria, ky është vendimi i tyre politik. Ne e kemi parë që Qeveria tashmë ka bërë një rialokim të fondeve brenda kornizës fiskale, nga një artikull buxheti në tjetër, për t’u ballafaquar me pasojat e krizës së koronës. Por qeveria do të vendosë që nëse kriza vazhdon, një ribalancim i buxhetit do të jetë i nevojshëm”, tha Janmat./MIA