Ndjekje penale për personat që i kanë ndjekur fëmijët e tij, si dhe heqje të imunitetit deputetes Dafina Stojanoska, e cila në profilin e saj në Facebook e publikoi videon – kërkon kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov. Reagimi vjen pasi dje Stojanoska publikoi video të Trendafilovit me fëmijë, në të cilën shkroi: “Mos e dëgjoni çfarë flet, por shikojeni si sillet”, duke aluduar se Trendafilov me automjetin zyrtar të LSM-së kryente obligime private.
“Parashtroj pyetje deri te ministri i Punëve të Brendshme. A e ndjekin shërbimet kryetarin e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe a ua incizojnë shërbimet fëmijët kryetarit të Lidhjes së Sindikatave? A janë individë dhe nëse janë individë menjëherë t’i arrestojnë. E thërras prokurorin publik menjëherë të tregojë, siç thotë përfaqësuesi i Qeverisë, se drejtësia është e barabartë për të gjithë. Se të gjithë do t’i arrijë. Në një shtet normal deputetja tashmë do të ishte në burg”, tha Sllobodan Trendafilov.
Ai kërkoi që përgjegjësit menjëherë të arrestohen, pasi shkolla dhe rruga ku janë incizuar kanë pasur kamera mbikëqyrëse. Tha se në video nuk janë vetëm fëmijët e tij, por edhe të tjerë që shkojnë në shkollë dhe në oborrin e shkollës.
“Do të më lejoni të flas për monstrat. Ata që nuk janë nën krevatet e fëmijëve. Ata që ulen në bankat e deputetëve, që i shihni në kafene, që i takoni në rrugë, që i keni në parti. Që incizojnë fëmijë të mitur. Monstrat nuk janë vetëm në televizion. Monstrat janë pranë të gjithëve ne”, deklaroi Sllobodan Trendafilov
Trendafilov tha se rasti është paraqitur në MPB dhe se do të njoftohen të gjitha ambasadat, Delegacioni i BE-së, Konfederata Ndërkombëtare dhe Evropiane e Sindikatave dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Reagoi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Thonë se incizimi kontestues është marrë nga rrjetet sociale, ndërsa me shumë gjasë ishte incizuar nga një punëtor i revoltuar ose anëtar i LSM-së.
“Në vend që të fshihet nga turpi para punëtorit maqedonas, Sllobodan Trendafillov zgjodhi me një paturpësi të paparë, panik dhe nervozizëm ta sulmojë deputeten Dafina Stojanoska, duke luajtur rolin e viktimës për ta mbuluar skandalin e tij personal. Ky nuk është sulm ndaj familjes, ky është një klithmë e dëshpëruar e një “sindikalisti” që mendon se me lot dhe etiketim do ta fshijë faktin se i shpenzon paratë e punëtorëve për luks personal”, dekalroi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.
Njëkohësisht nga DPMNE e thirrën Prokurorinë që të hapë procedurë dhe të hetojë se si është përdorur automjeti zyrtar i LSM-së dhe nëse në rregulloren e LSM-së shkruan se kryetari lejohet ta përdorë për nevoja personale.
