Pas zgjedhjeve, rekonstruksion i qeverisë

TË FUNDIT

Pas zgjedhjeve lokale do të ketë rekonstruksion të Qeverisë, paralajmëron kryeministri Hristijan Mickoski, i cili njëkohësisht tha se planifikon të bëjë edhe ndryshime në parti. Ai nuk tha nga cilët ministra nuk është i kënaqur dhe nëse rekonstruksioni do të jetë i nxitur nga fakti se një pjesë e ministrave, kryesisht nga VLEN, shpallën kandidatura për kryetarë të komunave.

 “Asnjë funksion nuk është i garantuar dhe as i përjetshëm. Dhe për këtë arsye menjëherë pas këtyre zgjedhjeve do t’i hapim dyert e partisë për ndryshime të reja dhe për njerëz të rinj. Edhe në Qeveri do të ketë rekonstruksion, përmirësim dhe një dinamikë më të madhe të kapaciteteve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kreu i qeverisë u dërgoi mesazh edhe integristëve se këto zgjedhje nuk do të jenë hapje e derës së BDI-së për në Qeveri dhe se së bashku me LSDM-në do të mbeten në opozitë, për shkak se, siç u shpreh, nuk i kanë mësuar leksionet.

 “Një njeri më thotë: po e përgatisni BDI-në t’ju bëhet partner në Qeveri. Përgjigja ime e drejtpërdrejtë është se BDI edhe për një kohë të gjatë do të jetë opozitë, sepse deri tani nuk ka mësuar asnjë leksion. Ata aty u përkasin, me ortakun e tyre koalicionues në krimin dhe goditjet kundër Maqedonisë – LSDM-në. Do të jem shumë i qartë dhe shumë preciz: këto zgjedhje nuk do të jenë dera e Bashkimit Demokratik për Integrim për në Qeveri”, deklaroi tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga BDI reaguan duke i quajtur deklaratat e Mickoskit shpifje dhe përpjekje e pasuksesshme për të fshehur krizën e legjitimitetit të qeverisë së tij monoetnike dhe përbëjnë nxitje për përplasje etnike.

“Zgjedhjet e tetorit do të jenë test i vullnetit qytetar, do të jenë referendum dhe se qytetarët do ta ndëshkojnë politikën e frikës, manipulimit, demontimit të shtetit multietnik dhe përçarjes. Demokracia nuk frikësohet nga deklarata të këtilla të pavërteta – as shqiptarët, as maqedonasit nuk meritojnë të udhëhiqen nga shpifje dhe skenarë të rremë. E ku do të jetë BDI, kjo varet vetëm nga populli”, thonë nga BDI.

Mickoski njëkohësisht i akuzoi LSDM-në dhe BDI-në se po përgatisin, siç tha ai, “lojëra të pista” dhe manipulim politik për zgjedhjet. “Me lista fantome duan qëllimisht ta ngatërrojnë votuesin dhe ta rrënojnë procesin zgjedhor,” akuzoi Mickoski.