Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Goce Naumovski, ka dorëzuar dorëheqjen e tij në Kuvend. Nga Kuvendi për TV21 thonë se e kanë pranuar dorëheqjen, e njëjta është arkivuar, por që ende nuk është dorëzuar deri te kryetar i Kuvendit, Afrim Gashi. Gjykata Kushtetuese njoftoi se deri më tani nuk ka pranuar informacion zyrtar nga gjyqtari për dorëheqje. Zëdhënësja e Gjykatës bëri të ditur se Naumovski sot ka munguar në seancë, ndërsa konfirmimi zyrtar nuk ka mbërritur as nga Kuvendi.
Sipas njoftimit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka marrë vetëm një konfirmim për dorëheqjen përmes një bisede telefonike me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Nga Gjykata theksojnë se për një procedurë zyrtare nevojitet dorëzimi i dokumentacionit përkatës. Përndryshe, Goce Naumovski u zgjodh gjyqtar i Kushtetueses në shkurt të këtij viti, me propozim të Kuvendit.
Ai është profesor në Katedrën e së Drejtës Romake në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”. Para zgjedhjes në Gjykatën Kushtetuese, ishte këshilltar i kryeministrit dhe është vëllai i ish-zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Vasko Naumovski. Ai u propozua për gjyqtar kushtetues nga shumica qeverisëse.
Në lidhje me: Deputetët votuan, Goce Naumovski u zgjodh gjykatës Kushtetues
