Sot në Beograd fillon manifestimi “Europride 2022”.
Sipas njoftimeve të organizatorëve, “Java e Krenarisë” në Beograd duhet të përfundojë të shtunën, më 17 shtator, me një shëtitje të pjesëmarrësve.
Koordinatori i “Europride”, Goran Miletiç tha se nuk pret që ministria e Brendshme ta ndalojë tubimin e planifikuar sepse nuk ka kushte ligjore për të dhe nuk ka kërcënime për sigurinë, shëndetin dhe moralin. Ai deklaron se vendimi i ndalimit do të ishte i paligjshëm dhe antikushtetues.
Miletiç deklaroi për Euronews Serbia se nëse marrin ndonjë urdhër ndalimi, tubimi jo vetëm që nuk do të ndalonte, por do shndërrohej në protestë.
Ai theksoi se nëse ka një grup apo person që planifikon dhunë, atëherë kjo është çështje e policisë.
“Nuk mund të jetë faji im nëse eci i qetë, e dikush dëshiron të më sulmojë,” – u shpreh Miletiç.
Më 27 gusht presidenti serb, Aleksandër Vuçiç njoftoi se “Europride” është anuluar.
Komisioni Evropian tha se do ta monitorojë nga afër këtë çështje dhe se BE-ja shpreson se do të gjendet mënyra për një mbajtje paqësore dhe të sigurt të “Europride” në Beograd.
