Edhe deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ka dhënë dorëheqje nga posti i koordinatores së grupit parlamentar të ASh-së. Dorëheqjen e ka bërë të ditur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku thotë se kjo vjen si pasojë e rezultatit nga zgjedhjet lokale në Tetovë.
“Rezultati në zgjedhjet e fundit lokale edhe me shumë rezultati tejet i dobët për Këshillin e Tetovës më goditi edhe mua, e ndërgjegjja ime si deputete e zonës gjashtë nuk e tejkalon e s’mund të jem indiferente. Prandaj ju njoftoj që sapo u dorëhoqa nga koordinatore e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, të vetmin emërim që kam për momentin nga subjekti politik.”- Ilire Dauti, deputet e ASH-së.
Nuk dihet ende nëse deputetja Dauti do të merr post tjetër në Aleancën për Shqiptarët. Ndërkaq ishte paralajmëruar që gjatë kësaj javë partia të mbajë mbledhjen e Kuvendit Qendrorë, në të cilën do të konstatohet dorëheqja e Selës, të zgjidhet ushtruesi i detyrës së kryetarit dhe të caktohet data për mbajtjen e kongresit të partisë, datë për një gjë të tillë nuk është caktuar.
Si emri më i përfolur për kandidat për kryetar të kësaj partie është Arben Taravari, i cili aktualisht është kryetar i komunës së Gostivarit.
“Kandidatët për kryetar të partisë e shpallin interesimin e tyre 3 muaj para mbajtjes së Kongresit, prej kur fillon edhe fushata parazgjedhore për kryetar partie.
-Për të shpallë një anëtar i partisë kandidaturën për kryetar partie, duhet të sigurojë minimum 400 nënshkrime të anëtarëve të verifikuar të partisë, me kusht që mos i takojnë një dege të vetme, ose të sigurojë së paku mbështetjen e pesë degëve të partisë.”- thuhet në Statutin e Aleancës për Shqiptarët.
Tanimë kanë kaluar 22 ditë momenti kur kreu i kësaj partie, Ziadin Sela u dorëhoq nga posti i liderit të ASh-së, pikërisht nga disfata që përjetoi kjo parti në zgjedhjet komunale në Tetovë.
