Pas reagimeve që dolën në opinionin publik, kryeministri Zoran Zaev ndërpreu pushimet verore dhe bashkë me disa ministra vizitoi rajonin e Maleshevës ku janë përhapur zjarre. Ai në Budinarcë, një nga vendet më kritike, tha se edhe përkundër përpjekjeve maksimale të zjarrfikësve, njësisë së ARM-së, si dhe ndihmës nga vendet fqinje, procesi i shuarjes së zjarrit shkon vështirë për shkak të erës së fortë, por shprehet i bindur se jeta dhe prona e qytetarëve do të shpëtohen.
“Besoj se gjatë ditëve në vijim me përkushtim të plotë dhe me të gjitha kapacitet që i kemi, do të mund t’i shuajmë pikat më kritike, siç është zjarri mbrapa nesh. Qëllimi është, e përsëris edhe një herë, edhe pse e kemi thënë disa herë – të sigurojmë mbrojtje për qytetarët, jetën e tyre, pronën e tyre materiale, shtëpitë, stallat, mbrojtje për të gjithë pronën e qytetarëve, kurse kuptohet edhe për pyjet dhe malet”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Zaevi shprehu shqetësim edhe për zjarret në rajonin e Radovishit dhe Prilepit, por edhe në vendet e tjera, duke dërguar apel deri te qytetarët të kenë kujdes që të mos shkaktojnë ndonjë zjarr.
“U apeloj të gjithë qytetarëve për kujdes maksimal, ende vlen ndalesa për lëvizje nëpër pyje dhe është e dënueshme, prandaj duhet të kujdesemi për sjelljen tonë. Me të vërtetë në këto temperatura të larta me erërat që fryjnë në territorin e gjithë Maqedonisë së Veriut, shumë lehtë mund të shkaktojmë vatra dhe zjarre të reja”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.
Këtë rajon, sot pasdite e vizitoi edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Mbrapa mund të shihet se ende ka zjarre dhe mbi bazë të asaj që e dëgjova nga njerëzit mund të vij në përfundim se e gjithë situata ndryshon nga momenti në moment. Këta njerëz janë heronj të cilët dhanë përpjekje mbinjerëzore”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Paraprakisht, në konferencë për shtyp Mickoski kërkoi mobilizim të tërësishëm me çdo potencial dhe resurs njerëzor me qëllim ballafaqimit më efikas me zjarret. Sipas tij, sistemi ka dështuar në efikasitetin e tij dhe veprimin më kohë, kurse siç shton, mungon edhe menaxhim institucional.
“Bëj thirrje që të formohet Trup Qendror për Kriza, e jo të funksionojë trupi që e kemi për momentin. E di se Qeveria do të përgjigjet se tashmë kemi një të tillë, por ky trup është nën nivelin mesatar për t’u ballafaquar me kriza. Apeloj që Kuvendi në afat sa më të shkurtër të mblidhet në seancë të veçantë parlamentare dhe t’i shqyrtojë pikat me informacionet rreth zhvillimeve të fundit me zjarret në Maqedoni”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Rajoni i Maleshevës është një nga zonat që ka pësuar më së shumti nga zjarret që e kapluan vendin. Flakët që i përfshinë Berovën, Pehçevën dhe Dellçevën janë në radius prej rreth 50 kilometrash.
