Pas publikimit të TV21, Radio Televizioni Kombëtar ka dënuar sjelljen e Andreas, këngëtares që po përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Evrovizion, përcjell TV21. Nga RTVM thonë se hedhja e flamurit është skandaloze ndërkaq theksojnë se po shqyrtojnë mundësinë për tërheqjen e këngëtares nga gara.
Skandal: Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në Evrovizion hedh në tokë flamurin shtetëror!
“Shërbimi publik nuk qëndron në asnjë mënyrë pas kësaj sjelljeje skandaloze të përfaqësuesit sonë në Evrovizion, e cili me atë gjest tregoi mosrespektim ndaj simbolit kombëtar, e që dënohet me ligj. Radio Televizionit Kombëtar pret që Andrea t’u kërkojë falje qytetarëve për sjelljen e tillë. Shërbimi publik po shqyrton mundësinë e tërheqjes së saj nga Evrovizioni, ndonëse do të bëhet kujdes që të mos i shkaktohen më shumë dëme Radio Televizionit Kombëtar. Ndaj përgjegjësve në delegacionin e Maqedonisë do të ndërmerren të gjitha mundësitë ligjore për sanksionim sa më të rreptë për këtë skandal”, thuhet në reagimin e Radio Televizionit Kombëtar.
