Pas pohimit të Radevit, Mickoski: Më pak dëgjo se çfarë flasin, më shumë shiko se çfarë punojnë

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski është tepër i kujdesshëm pas paralajmërimeve të presidentit bullgar, Rumen Radev për mbështetje dhe ndihmë në rrugën eurointegruese të Maqedonisë. Radev nga Tirana në prani të presidentes Gordana Siljanovska Davkova vlerësoi se te ajo ka ekzistuar dëshpërim për rrugën drejt BE-së. Megjithatë Radev shtoi se eurointegrimi ynë nuk është i lidhur me çështjet bilaterale apo vetot e vendeve fqinje, por nga sfidat e brendshme për të drejtat e njeriut dhe sundimin e të drejtës.

“Dëshiroj të ju siguroj se Bullgaria si më e afërta, si shtet miqësor ka dëshirë të madhe dhe është e gatshme të zgjas dorën, të japë ndihmë kështu që udhëheqësia juaj shtetërore dhe shoqëria shumë më shpejtë të përballen me sfidat dhe me plotësimin e kritereve të Kopenhagut për anëtarësim”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.

“Shumë porosi të ndryshme arrijnë nga Sofja zyrtare. Pleqtë tanë kanë thënë – Më pak dëgjo se çfarë flasin, më shumë shiko se çfarë punojnë”, shtoi Hristijhan Mickoski, kryeministër.

Mickoski bëri thirrje deri te eurodeputetët bullgar të tregohen me vepra dhe të votojnë Raportin e Tomas Vajc, ku flitet për identitetin dhe gjuhën e veçantë maqedonase.

Shefi i diplomacisë Timço Mucunski, nga Budapesti i përsëriti linjat e kuqe, duke shtuar se e ardhmja europiane nuk duhet të jetë me çmimin e shkrimit të historisë nga fillimi.

“Ky nuk është një qëndrim nga inati, por është një qëndrim nga vetërespekti dhe e ardhmja që po e ndërtojmë në Europë duhet të mbështetet në njohjen e ndërsjellë dhe në besim, e jo në rishkrim të historisë apo imponim të narrativave të rreme”, tha Timço Mucunski, ministër për Punë të Jashtme.

Ndryshe, Mickoski sërish u bëri thirrje autoriteteve bullgare që të përgjigjen pozitivisht ndaj idesë për takim të delegacioneve të të dyja vendeve gjatë Samitit të NATO-së në Hagë, në fund të këtij muaji, ku do të diskutohej për integrimin europian të Maqedonisë.