Pas kronikës së TV21 , kryetari i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati ka ofruar zgjidhje për familje Veli të Shkupit.
Fillimisht do t’u sigurohet strehim i përkohshëm, për çfarë do t’u paguhet qiraja nga “Jetimat e Ballkanit”, ndërkaq gjatë këtyre tre muajve do të punohet edhe në drejtim të sigurimit të një objekti strehues të përhershëm që do të jetë në pronësi të familjes Veli.
“Nga aktivitetet e shumta që i kam pasur, nuk kam pasur mundësi ta shoh rastin. Po e shoh tani, megjithatë na kanë ardhur shumë thirrje, kërkesa dhe shumë tagg-a na janë bërë për familjen dhe storjen. Na ka kontaktuar edhe i nderuari Irfan Buçi nga Shkupi, na ka spjegu hollësisht situatën e kësaj familje dhe ne i kemi thënë: se jemi në kohë pandemie, jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, nga pamundësia që të vijmë vetë atje dhe të kryejmë punë, kemi angazhuar Irfanin dhe Irfani si gjithmonë i gatshëm ta strehojë këtë familje për tre muaj me qira, dhe pas tre muajve inshAllah po do Zoti dhe kalon kjo situatë do ta strehojmë me strehim të përhershëm”, tha hoxha Halil Kastrati në një lidhje speciale për TV21.
Ai ka premtuar se rasti tashmë në tërësi do të jetë nën duart e tyre.
“Ne e marrim rastin komplet. Tre muajt e parë e paguajmë qiranë dhe gjatë këtyre tre muajve ne angazhohemi ta bëjmë me strehim të përhershëm”, tha më tej Kastrati.
Përndryshe, TV21 gjatë ditës ka njoftuar se një familje tre anëtarësh ka disa ditë që jeton në ambient të hapur, pasi i zoti i shtëpisë i cili që nga mosha 6-vjeçare është jetim, kishte mbetur pa punë për shkak të krizës së virusit korona dhe nuk kishte pasur mundësi ta paguajë qiranë. Si pasojë, ai ka lëshuar banesën ku ka qenë duke jetuar dhe me 35 eurot e fundit që i kishte pasur, kishte blerë tendë dhe atë e kishin bërë vend strehimi gjatë kësaj periudhe.
