Pas 6 ditësh kërkime, gjendet trupi i 22-vjeçarit! U gjet rreth 3 kilometra larg vendit ku ra me makinë në Vardar

TË FUNDIT

 “Ky është vendi ku rreth orës 10 e 30 minuta gjatë ditës së sotme është gjetur trupi i 22 vjeçarit nga Kumanova i cili u aksidentua tre-katër kilometra më lart në magjistralen Tetovë-Shkup”, raporton Senat Zylbehari, gazetar TV21.

6 ditë zgjatën kërkimet për tashmë të ndjerin Erdon Ramdani. Përveç organeve të rendit dhe shpëtimit, nga mëngjesi deri në mbrëmje në kërkim u vunë edhe nga komuna e Zhelinës dhe banorët e zonës dhe familjarët, të cilët pothuajse për një javë rresht kërkuan në lumin Vardar.

“Në afërsi të objektit ushtarak të “Erebinës” në lumin Vardar, është gjetur kufoma apo trupi që kërkohet tani e disa ditë, në bashkëpunim me SPB-Tetovë, Drejtorinë për Menaxhim me Kriza, me vullnetarë, me ushtarë dhe shumë kompani private edhe vullnetar që kanë ndihmuar në këtë proces unë dua t’i falënderoj. Supozohet të jetë tre deri në katër kilometra nga vendi ku ka ndodhur aksidenti dhe ne intensivisht kemi kërkuar që nga dita e parë”, deklaroi Bekim Maksuti, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Me të gjetur trupin e pajetë, në terren doli Prokurori, pas çka kufoma u nxor nga ujërat e Vardarit dhe do të kryhet autopsi.

 “Pas kërkimeve intensive pjesëtarët e SPB Tetovë kanë gjetur trupin e pajetë të 22 vjeçarit nga Kumanova i cili me datë 27 shtator ka dalë nga rruga edhe ka rënë në lumin Vardar me veturën e tij “Golf”. Pasi është nxjerrë nga lumi pjesëtarët e familjes kanë identifikuar trupin e pajetë të të ndjerit  dhe me urdhër të prokurorit  trupi i pajetë është dorëzuar për autopsi”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

22-vjeçari ditën e aksidentit kishte ardhur nga Kumanova në Tetovë për të paguar semestrin e fundit të fakultetit. Rreth orës 11.30 të datës 27 shtator me veturë ra në lumin Vardar në territorin e Komunës së Zhelinës në Tetovë. Kur makina u nxor nga uji, askush nuk u gjend në të, pas çka filluan kërkimet në ujë dhe në brigjet e Vardarit.