13 vjet më parë forcat e policisë e morën nga shtëpia Rexhail Qerimin nga Opaja e Likovës.
Pas 13 viteve të kaluara në burgun e Idrizovës, mbrëmë pas mesnate ai ndërroi jetë.
Për gjatë gjithë këtyre viteve, Rexhaili është munduar për të dëshmuar pafajësinë e tij në rastin “Alfa”, ndërsa edhe në paraqitjen e tij të fundit nga burgu, tha se është i pafajshëm.
“Një natë të jesh brenda në burg është tmerr, e jo më 13 vite pa pikën e fajit. Vetëm lëkura ime dhe e Agimit e dinë se sa është e rëndë”, tha Rexhail Qerimi, ( 09.01.2022).
Lajmin e kobshëm për vdekjen e Qerimit, familjarët e kanë marrë nga i burgosuri tjetër i rastit “Alfa”, Agim Islami. Thonë se Qerimi nuk kishte probleme shëndetësorë prej të cilave ankohej.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur mbrëmë ku mbas orës 12 më lajmërojnë dhe më thonë se është alivanosur dhe e kanë dërguar në spital. 10-15 minuta para se të më lajmërojnë, ai kishte folur me bashkëshorten e vet, me motrën time dhe vëllain dhe 4, 5 persona dhe brenda gjysmë ore atij i ndryshon gjendja shëndetësore”, theksoi Jetullah Qerimi, familjar i Rexhail Qerimit.
Qerimin nuk kanë arritur as ta dërgojnë në spital, pasi që në rrugë është konstatuar vdekja e tij, thonë nga Drejtoria e Burgut Idrizovë. Për ta dërguar më shpejt në spital, kujdestarët e burgut me veturë zyrtare janë nisur drejt Klinikës “Nënë Tereza” për të mos e vonuar duke pritur Ndihmën e shpejtë, meqenëse se gjendja e tij ishte e rënduar.
“Rexhail Qerimit iu është keqësuar gjendja duke bërë dush, i cili kishte rënë mbi lavaman, në hapësirat ku po qëndronte. I burgosuri menjëherë ka qenë i dërguar me veturë zyrtare në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup dhe diku nga lagjja “Goce Dellçev” janë takuar me personelin mjekësorë të ndihmës së shpejtë, pas çka i është ofruar ndihmë shëndetësore dhe reanimacion, që rezultoi pa sukses”, thonë nga Burgu i Idrizovës.
Mëngjesin e sotëm, trupi i pajetë i Qerimit iu dorëzua familjarëve. Për të hetuar vdekjen e Qerimit, prokuroria mbrëmë ka bërë mbledhjen e dokumentacionit mjekësor.
“Është konstatuar se personi ka pasur histori të mëparshme të sëmundjes, ndërsa mjekët nga Ndihma e shpejtë të cilët kanë qenë të thirrur kanë konstatuar se tek personi nuk janë hasur shenja të dhunës ose gjurmë të cilët do të kishin çuar drejt dyshimit se vdekja ka ndodhur si pasojë e ndonjë vepre penale”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
I ndjeri para 2 javëve, në një videomesazh kërkoi drejtësi.
“Kërkojmë zbardhjen e rastit tonë se i kanë të gjitha dëshmitë që i kanë kërkuar që vërtetojnë pafajësinë tonë. Kërkojmë nga gjykatësit ta shikojnë video-incizimin e vrasjes dhe gjithçka do të del në sipërfaqe”, tha Rexhail Qerimi, 09.01.2022.
Ndryshe familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit Rexhail Qerimi do të bëhet nesër në fshatin Opajë.
