Nesër në Vilën “Vodno” mblidhen krerët e partive më të mëdha për t’u marrë vesh për datën e zgjedhjeve. Të ndarë janë në dy qëndrime. Një pjesë kërkon zgjedhje në mes të qershorit e disa në korrik. E vetmja që vazhdon të pohojë se nuk e ka problem datën është BDI-ja. Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi po e mbështet idenë për zgjedhje në mes të qershorit.
“Afati më i volitshëm sipas nesh për tu mbajtur këto zgjedhje janë 20 ose 22 ditë prej Ditës së Fitër Bajramit. PDSH është e mendimit se zgjedhje të parakohshme duhet të mbahen dhe ne jemi gati të përgatitur që menjëherë pas ditës së parë ta bajramit të vazhdojmë me kampanjën”, tha Menduh Thaçi, Kryetar PDSH.
Propozimi i Thaçit për zgjedhje 20 deri 22 ditë pas Bajramit i bie mesi i qershorit, gjë që përputhet me propozimin e LSDM-së që dje e kumtoi Zoran Zaev.
“Pse 14 qershori kur flasim për qëndrimin e koalicionit, për mesin e qershorit, sepse gjendja e jashtëzakonshme përfundon më 16 dhe askush nuk e di se a do të ketë rekomandime nga komisionet shëndetësore për gjendjen e jashtëzakonshme. Nëse ka, gjithsesi Në mënyrë adekuate në javë ajo duhet të vazhdohet, tanimë sipas meje, jo me 30 ditë, por komisionet shëndetësore të thonë jo 30 por më shumë”, tha Zoran Zaev, Kryetar LSDM.
Opozitarja VMRO-DPMNE ende nuk tregon për datën që do ta propozojnë nesër në takimin e liderëve.
“Kjo është çështje shumë e rëndësishme që të bëjmë ankand në media, që të gjuajmë data si Zoran Zaevi, sepse ky nuk është pazar për çmimet e fruta-perimeve, është temë tejet serioze. VMRO-DPMNE ka bërë analiza ka përgatitur disa pika që nesër do të diskutohen në takimin e liderëve”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës VMRO-DPMNE.
Ajo që deri më tani ka kërkuar kreu i DPMNE-së Hristijan Micskoski është që zgjedhjet të mbahen ne mes të korrikut. Të këtij mendimi janë edhe dy partnerët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Kreu i ASH-së ka propozuar fundin e korrikut për zgjedhje, e këtë afat pritet ta propozojë edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi në takimin e nesërm të liderëve.
