Partitë reagojnë për videon e Ahmetit! Arjanit Hoxha: Tek BDI do të ketë lëvizje tektonike

TË FUNDIT

Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, në rrjetin e tij në Facebook, publikoi një video me përmbledhje të zyrtarëve nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilët akuzojnë BDI-në për çështje të ndryshme.

Ahmeti në mbishkrimin e videos thekson se partitë maqedonase sulmojnë vazhdimisht BDI-në për politika të tyre ditore.

Për Arjanit Hoxhën nga Lëvizja Besa, videoja nënkupton se BDI po përgatitet për të shkuar në  zgjedhje dhe sinjal për të kamufluar problemet e BDI-së.

“Sa i takon asaj që është publikuar, tregon se BDI ka një frikë se megjithatë po përgatitet që në zgjedhjet cilado qofshin ato, të menjëhershme, të parakohshme, por edhe të rregullta. Është fakt që po përgatitet për të shkuar në opozitë. Po e shihni këtë si shkuarje në zgjedhje? Absolutisht. Lansimi i videos është një sinjal për të kamufluar problemet e BDI-së”, tha Arjanit Hoxha, Lëvizja Besa.

Hoxha shton se këto video vijnë edhe si pasojë e lëvizjeve që po ndodhin brenda BDI-së dhe paralajmëroi se javën tjetër një pjesë e strukturës së BDI-së kalon tek Besa. Pyetëm sekretarin e BDI-së, Artan Grubin, për këtë deklratatë të Hoxhës, por nuk morëm përgjigje.

Për videon e Ahmetit kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët.

“E rikujtojmë BDI-në, se pikërisht LSDM dhe VMRO me të cilët kanë bashkë qeverisur gjatë e kanë ruajtur këtë subjekt politik si arushën e bardhë, duke i kursyer funksionarët e korruptuar të BDI-së nga drejtësia. Qytetarët dhe i gjithë opinioni e di mirë  se BDI asnjëherë nuk është dëmtuar nga subjektet maqedonase, por është përkëdhelur në vazhdimësi“, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Pas video-porosisë së mbrëmshme të Ahmetit, ka reaguar edhe VMRO-DPMNE. Nga kjo parti akuzojnë BDI-në për korrupsion dhe porosisin Ahmetin të kontrollojë personelin e tij që sipas tyre ka qenë burim krimi dhe korrupsioni për 20 vjet.

“Sa herë që Ali Ahmeti dëshiron të pëlqehet nga bashkësia ndërkombëtare në takimet e tij, ai heq dorë nga Kosova, lavdëron iniciativën e Serbisë “Ballkani i Hapur”, ku nuk përmendet Kosova dhe shpik agjendë të gjelbër, sa herë që Ahmeti dhe Kovaçevski duhet të kalojnë tenderët dhe miliona në TEC dhe Oslomej, Ahmeti bëhet patriot i shqetësuar dhe flet për Kosovën. Ahmeti nuk duhet të habitet se pse BDI-në e akuzojnë për korrupsion”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Me kundër reagim ndaj VMRO-DPMNE-së ka dal BDI. Thonë se VMRO- DPMNE është kundër që shqiptarët të  jenë në krye të institucioneve shtetërore, ndërsa nga ana tjetër hedhë pluhur me akuza të pabaza  mbi agjendën e gjelbër të konfirmuar proeuropiane.