Përveç gjatë fushatës 20 ditore, partitë politike e harruan pandeminë edhe gjatë festimit të rezultateve zgjedhore.
Me të dalë numrat e parë të votave, nëpër shtabet partiake e nëpër sheshe nisën festat.
Maska e distancë rrallë kush mbante.
Epidemiologu Nevzat Elezi vlerëson se protokollet për mbrojtje nga virusi korona nuk janë respektuar. Ai shprehu shqetësim se kjo mund të sjellë në përkeqësimin e situatës epidemiologjike me Covid-19.
“Pamjet që i pamë nëpërmjet mjeteve të informimit, vërejtëm së në disa vende, gjatë këtyre festimeve dhe gjatë tubimeve nuk janë respektuar masat që janë ende në fuqi, duke mbajtur distancën dhe maskën mbrojtëse. Nga ana e disa individëve këto protokolle janë të thyera dhe sipas asaj që preferohet nga MSH dhe nga Komisioni, kemi frikë se ndoshta edhe do të rritet numri në ditët në vijim”.
Mjeku Elezi tha se pjesëmarrësit në këto aktivitete partiake janë qytetarët më aktiv në jetën shoqërore, mirëpo nuk beson se dikush i infektuar ka dalë për të festuar. Vetëdija kolektive është rritur tha Elezi.
“Personat të cilët ndjejnë ndonjë simptomë ose diçka nga simptomatologjia e Covidit nuk marrin pjesë aktive në këto tubime, pra janë të izoluar nëpër shtëpi, kështu që nuk besoj se dikush nga këta ka marrë pjesë aktive në këto tubime”.
Përndryshe pa maska, pa distancë, me përqafime e shtrëngim duarsh, disa të pavaksinuar, në hapësira të hapura e salla të mbyllura u realizua edhe pothuajse e gjithë fushata parazgjedhore në vendin tonë.
