Edhe pse Mali Sharr u shpall park nacional, vazhdon që të jetë përplot me deponi. Drejtori i parkut, Ibrahim Dehari, thonë ato janë pasojë e mosmenaxhimit të mbeturinave nga shtatë komuna që përfshinë këtë pjesë, ndërsa shton se dy janë komunat që nuk kanë organizim të mbledhjes së mbeturinave në Malin Sharr edhe atë komuna e Tetovës edhe Bogovinës.
“Disa fshatra në Sharr, janë 27 fshatra të gjithë brenda Parkut Kombëtar, në disa fshatra nuk bëhet grumbullimi i rregullit i mbeturinave në komunat përkatëse, janë gjithsej shtatë komuna nga Jegunovca deri në Mavrovë dhe vetëm komuna e Tearcës e ka rregulluar, që bën mbledhjen e mbeturinave, komunat tjera nuk bëjnë mbledhjen e mbeturinave, në veçanti mund të ceket komuna e Tetovës dhe e Bogovinës që kanë fshatra në Parkun Kombëtar dhe nuk bëhet grumbullimi i rregullt i mbeturinave nga organet komunale.”- deklaroi Ibrahim Dehari, Drejtor i Parkut Nacional Mali Sharr.
Dehari pohon se është në kominikim me kryetarët e komunave për këtë hall të kamotshëm. E kryetari i Tetovës Bilall Kasami këtë e sheh si problem që është dashur ta zgjidhë pushteti qendror.
“Dështimi i pushtetit qendror mundohen që ta përcjellin tek pushteti lokal, e dini se në Ministrinë e Ekologjisë ka pasur një projekt që është dashur t’i pastrojë të gjitha deponitë e malit Sharr, që fatkeqësisht nuk ka, nuk është dashur që të shkoni në të gjithë deonitë, shkoni në Kodër të Diellit mbi vikend-shtëpizat dhe do ta shihni sa është pastruar ajo deponi, aty vetëm me disa kamionë është mbuluar dhe shihet me sy të lirë se nuk është pastruar, vetëm duhet të parashtroni një pyetje sa ka qenë tenderi në malin Sharr dhe vetëm në shembullin e Kodrës së Diellit do ta shihni se a janë pastruar a jo.”- tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.
Tenderi në pastrimin e deponive në Malin Sharr në bazë të prokurimeve publike ka qenë rreth 12 milionë e 400 mijë denar. Tenderin në korrik 2022 e ka fituar kompania “URBAN PLAN CONSTRUCTION” nga Tetova. Nga ana tjetër, është fakt se as komuna e Tetovës dhe as ajo e Bogovinës nuk i mbledhin mbeturinat në fshatrat malore, gjersa në lumenj dhe humnera vazhdojnë e hidhen mbetje, qoftë nga banorët ose nga bashkësitë lokale e fshatrave.
