Për shkak të masave restriktive për parandalim të përhapjes së virusit të ri, shumë kompani nuk punojnë. Me këtë është zvogëluar përqindja e TVSH-së, respektivisht reduktohet mbushja e buxhetit. Një nga masat kundër krizës, për t’i mbushur zbrazëtirat, ka gjasa të jetë rritja e akcizës së naftës. Qeveria ende nuk ka vendosur sa do të rritet, por megjithatë po diskutohet për këtë çështje dhe kërkohet modeli më i mirë. Ministrja e Financave, vendimin e arsyeton me rënien e çmimit të naftës në bursat botërore gjatë periudhës së kaluar, kurse çmimi i ulët, sipas saj, lë hapësirë për rritje të akcizave me qëllim që të mbulohen “vrimat” në buxhet, të cilat qytetarët detyrimisht do të duhet t’i paguajnë.
“Çmimi i derivateve të naftës te ne është dukshëm më i ulët se në vendet e rajonit, akciza gjithashtu është më e ulët. Nuk flasim për një masë e cila për momentin nënkupton rritje të përhershme. Flasim për një masë kundër krizës, e cila do të jetë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Pse? Sepse në kushte të tilla, në ulje të tilla të çmimit të naftës, kemi mundësi ta mbushim zbrazëtinë në të ardhurat buxhetore që vijnë nga akciza, e cila do të ishte më e lartë. Kuptohet, se të gjithë ne në një moment të caktuar do ta kthejmë atë”, tha Nina Angellovska – Ministre e Financave.
Është duke u shqyrtuar edhe mundësia për rritje të akcizës së vajit ekstra të lehtë për amvisëri, por siç thotë ministrja, nuk do të ketë barazim të plotë me naftën. Ka arsye ekonomike për rritje të akcizave, thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Nuk duhet të kujdesemi vetëm për të dalat e buxhetit, njëkohësisht duhet të kujdesemi edhe për të hyrat. Kjo do të thotë se ka mundësi dhe arsye ekonomike që të sillet një propozim nga Ministria e Financave, qoftë për 2, qoftë për 3 denarë. Ne si Ministri e Ekonomisë do ta mbështesim atë, me mekanizëm – nëse rriten çmimet, akcizat të ulen”, tha Kreshnik Bekteshi – Ministri i Ekonomisë.
Goditjet ndaj ekonomisë tashmë po ndjehen. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, pritet që goditja më e madhe të ndodhë në tremujorin e dytë, kurse rënia ekomonike të jetë 15%. Rikuperim pritet kah fundi i vitit. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pritet që BPV real të ulet për 4% në vitin 2020, si rezultat i rënies së kërkesave të brendshme dhe të jashtme.
