Paralajmërohen gjoba më të mëdha për supermarketet, Mickoski: Nëse vazhdojnë kështu, do të duhet të vendosin çelës në derë

TË FUNDIT

Inflacioni në vitin 2026 pritet të lëvizë rreth 4 për qind, vlerëson kryeministri Mickoski. Kjo është më shumë se projektimet dhe parashikimet e Bankës Popullore. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Banka Popullore parashikoi se viti 2025 do të përfundojë me një inflacion vjetor prej rreth 3,9 për qind, ndërsa për 2026 pritjet ishin se ai do të qetësohej dhe do të ishte rreth 2,5 për qind. Por, sipas deklaratave të kryeministrit, pritet që çmimet të rriten edhe këtë vit.

 “Mendoj se inflacioni vjetor do të lëvizë rreth 4 përqind, këtë e diskutojmë prej muajsh. Ajo që ne po bëjmë janë kontrolle të shpeshta nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe kontrolle të shpeshta nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Këtë vit nuk pati asnjë masë, kufizim të çmimeve ose të marzhave për asnjë festë. Ishte e dukshme rritja e çmimeve të disa produkteve në markete, dhe siç thotë kryeministri, si Qeveri ata e vëzhgojnë këtë. Ai njoftoi edhe hapa konkrete, por edhe gjoba.

 “Do të propozojmë ndryshime ligjore për vitin e ardhshëm me gjoba shumë më të mëdha për të gjitha rrjetet e supermarketeve që shkelin Ligjin për praktikat jo të ndershme tregtare. Për disa nga rrjetet tashmë kemi prova dhe mendoj se nëse vazhdojnë kështu, do të duhet të vendosin çelës në derë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës gjobiti katër supermarkete të mëdha dhe Lidhjen e Odave ekonomike për shkak të marrëveshjeve të ndaluara dhe veprimeve të koordinuara mbi çmimet. Supermarketet u gjobitën me 50 mijë euro secili, ndërsa Lidhja e odave ekonomike me 18,6 mijë euro.