Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar për ndërprerje të ujit të pijshëm në disa pjesë të Teheranit, pasi shteti po përballet me krizë të madhe të ujit, të shkaktuar nga thatësirat.
Paralajmërimet kanë ardhur pasi presidenti iranian, Masud Pezeshkian ka thënë se kryeqyteti iranian ka mundësi që të evakuohet tërësisht, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.
“Shfrytëzimi racional i ujit do të duhej të kishte nisur më herët”, ka thënë Reza Hajikarim, udhëheqës i Industrisë së Ujit Iranian, në disa deklarata për televizionin shtetëror.
“Aktualisht, 62 për qind e ujit të Teheranit sigurohet nga burimet nëntokësore dhe nivelet në to kanë rënë shumë”.
Ministri iranian i Energjisë, Abbas Ali Abadi, ka bërë të ditur se do të nisë racionalizimi i furnizimit me ujë në disa rajone të Teheranit.
“Kjo do të ndihmojë në shmangien e humbjeve, edhe pse situata mund të jetë më e vështirë”, Abadi për një televizion shtetëror.
Issa Bozorgzadeh, zëdhënës i industrisë së ujit, ka thënë se situata e ka arritur pikën ku autoritetet po detyrohen të vendosin kufizime në sasitë e ujit që mund të konsumohet.
“Nëse konsumi nuk zvogëlohet për 10 për qind, ndërprerja e furnizimit të qëndrueshëm me ujë është diçka e sigurt”, ka thënë ai.
Kriza e ujit në Iran është pasojë e mungesës së reshjeve, dhe thatësisë së madhe për pesë vjet rresht.
Mirëpo disa ekspertë besojnë se për situatën duhet fajësuar edhe keqmeanxhimin ndër vite, sidomos në sektorin e bujqësisë.
