Paraburgim për një të mitur dhe tre të rritur, dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen e 10 gushtit në Tetovë

TË FUNDIT

Pas mbajtjes mbi 6 orë në Gjykatën e Tetovës, gjykatësi, së bashku me përfaqësues nga qendra për punë dhe politika sociale dhe prokurorin, vendosi paraburgim për të miturin L.M nga Gajrja, nën dyshimin se është bashkëpunëtor në vrasje. Prokuroria ka kërkuar paraburgim edhe për tre persona të tjerë.

“Është lëshuar urdhër për procedim hetimor kundër personave të dyshuar për vrasje sipas nenit 123, prodhim dhe posedim të paautorizuar armësh dhe krime të rënda kundër sigurisë publike. Një fëmijë dyshohet gjithashtu për të njëjtat vepra si bashkëpunëtor, sipas Ligjit për Drejtësinë për Fëmijë. Gjithashtu është lëshuar një urdhër për kryerjen e një procedure hetimore kundër dy personave të dyshuar se kanë kryer një vepër penale si bashkëpunëtorë – Vrasje (në tentativë), pastaj prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe eksplozivëve dhe Krime të rënda kundër sigurisë publike”, thanë nga Prokuroria.

Televizioni 21 mëson se dy personat me urdhër paraburgimi janë Z.M dhe M.T, ndërsa R.T, i plagosur gjatë përleshjes, ndodhet në Spitalin Klinik “Nënë Terezë” nën masa sigurie.

“Më 10 gusht, në rrugën “Blagoja Toska” në Tetovë, i dyshuari i parë dhe fëmija në konflikt me ligjin, lindur në vitin 2010, me dashje, si bashkëpunëtorë dhe duke përdorur armë zjarri – pushkë automatike që janë të ndaluara për qytetarët, privuan nga jeta një person dhe rrezikuan jetën dhe trupin e personave të tjerë, përfshirë një nga të dyshuarit e tjerë. Me pushkë automatike, ata qëlluan disa plumba në makinën Golf, duke goditur tanimë të ndjerin, i cili ishte në vendin e shoferit. Dy plumba përfunduan në gjoksin e pasagjerit, i cili pësoi lëndime të rënda trupore me rrezik specifik për jetën e tij. Një përfundoi në kofshën e djathtë të një fëmije të lindur në vitin 2012, i cili rastësisht u ndodh në afërsi të menjëhershme, pas së cilës i dyshuari, së bashku me fëmijën në konflikt me ligjin, u larguan nga vendi i ngjarjes”, thanë nga Prokuroria.

Prokuroria publikoi se për të gjithë të dyshuarit, përfshirë fëmijën në konflikt me ligjin, është propozuar paraburgimi.