Para seancës së Parlamentit Europian, Mickoski pret mesazh të fuqishëm për gjuhën dhe identitetin maqedonas

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që në seancën e Parlamentit Europian që do të mbahet të martën dhe në të cilën duhet të miratohet Raporti për Maqedoninë nga Tomas Vajc, të dërgohet mesazh për identitetin dhe gjuhën maqedonase. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe ka pasur presion të madh në Bruksel nga eurodeputetët bullgarë për ndryshimin e raportit, në të cilin flitet për veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase.

“Pres një mesazh të fuqishëm nga Parlamenti Europian për identitetin maqedonas, për gjuhën maqedonase, megjithëse duhet ta pranoj se këto ditë mora shumë informacione shqetësuese që vinin prej andej për një aktivitet të fortë të disa politikanëve në Bruksel. Mendoj se disi arritëm ta amortizojmë atë goditje që dikush sërish donte t’ia jepte identitetit dhe gjuhës maqedonase duke i riformuluar, duke i shpjeguar me terma si “moderne” ose “të tashme””, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga tribuna “Maqedonia e poshtëruar – Një vit Qeveri e VMRO-DPMNE-së”, tha se pushteti ia ka marrë rinisë të ardhmen europiane. Ky është një përkushtim i rremë i kësaj qeverie, ndërsa identiteti dhe gjuha maqedonase janë të përcaktuara në Bashkimin Europian nga qeveria e udhëhequr nga LSDM, tha Filipçe.

“E vërteta është se të ashtuquajturat përpjekje të Qeverisë për të përmirësuar pozicionin tonë negociues janë vetëm një gënjeshtër e madhe. Sepse si gjuha ashtu edhe identiteti janë plotësisht të konfirmuar dhe të siguruar në të gjitha dokumentet që i ka përgatitur qeveria jonë dhe që janë pjesë e të ashtuquajturit propozim francez”, shtoi Venko Filipçe – Kryetar I LSDM-së.

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Europian më 4 qershor e shtyu votimin për raportin e Tomas Vajcit për përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe është riplanifikuar për më 24 qershor. Eurodeputetët bullgarë kanë dorëzuar amendamente për raportin, e disa prej tyre madje kërkojnë që të mos prezantohet fare.