VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski akuzojnë se në rastin “Mazut për TEC Negotinë” është importuar derivat kancerogjen që ka përfunduar në termocentrali. Tani për tani nuk ka detaje dhe informacione konfirmuese nga institucionet sa dhe çfarë mazuti i palejuar është importuar. Paqartësia e tillë për momentin lë hapësirë për dyshime në opinion se kompania Pucko Petrol e Asmir Jahoskit i cili është një prej të akuzuarve ka dëmtuar buxhetin shtetërorë në vlerë prej 167.5 milionë euro.
Nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit thonë se Jahoski akuzohet vetëm për larje parash ndërsa Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sullkoski, pronarë të kompanisë RKM, akuzohen për dorëzimin e dokumenteve të rrejshme dhe mosrealizim të obligimeve të dakorduara me çka e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror për 167,5 milionë euro. Përndryshe dyshimet për krim në tender për prokurimin e mazutit u publikuan që në mars 2022 nga ana e IRL.
“Në thelb, hulumtimi filloi kur pamë se cilat kompani i ka vendosur Kapushevski kur ka aplikuar dhe nëse është dakorduar në “katër sy” si furnizuesi i tij. I pyetëm të gjithë, bëhej fjalë për kompaninë me renome si INA në Kroaci, OMB nga Austria, të cilët konfirmuan se asnjëherë nuk kanë bashkëpunuar me Ratko Kapushevskin, as nuk e njohin. Kjo na hapi dyshime për të parë se nga ku do ta blejë mazutin, duke pasur parasysh se asnjë nga kompanitë e mëdha maqedonase që punojnë me mazut nuk u paraqitën”, tha Bojan Stojanovski.
Kapushevski dhe kompania e tij RKM kanë përvojë me import të derivatit toksik. Në filmin dokumentar “Konspiracion kundër ajrit” të IRL që nuk ka të bëjë me prokurimin e mazutit për TEC Negotinë, u tregua se Kapushevski përpiqej të importonte vaj që mund të përdoret si derivat vetëm për anije që lundrojnë në det të hapur për shkak të ndikimit toksik në ambient.
“Dy herë Ratko Kapushevski është kapur, duke importuar, sipas asaj që ne e hetuam dhe konfirmuam me fakte, me dokumente, ku pas hulumtimeve publikuan se bëhet fjalë për mbetje toksike, e jo mazut dhe andaj i është marrë licenca për punë me mazut”, deklaroi ai.
Herën e dytë Dogana e Kroacisë dhe inspektimi zbuluan se ai përpiqet të importojë mbeturina toksike. Në rastin Mazut për TEC Negotinë përveç Kapushevskit, Sullkoskit dhe Jahoskit, i dyshuar është edhe ish drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski i cili përndiqet në rastin Aditiv.
