Papa u bëri thirrje liderëve botërorë paratë e armëve t’i përdorin për pandeminë

TË FUNDIT

Papa Françesku u bëri thirrje sot liderëve botërorë, që mjetet e synuara për armë t’i ricaktojnë për zgjidhjen e problemit me pandeminë, si dhe për furnizimin e vaksinës për qytetarët e vendeve më të varfra.

Në mesazhin me rastin e Ditës Botërore të Paqes të Kishës Katolike Romane, e cila festohet më 1 janar, gjithashtu, Papa e përsëriti thirrjen për formimin e një fondi global me paratë e synuara për furnizimin e armëve, i cili do të përdoret për çrrënjosjen e varfërisë.

“Sa mjete shpenzohen për armë, veçanërisht ato bërthamore, që mund të përdoren për përparësi shumë më të rëndësishme, siç është garantimi i sigurisë së individëve, promovimi i paqes dhe zhvillimi i integruar njerëzor, lufta kundër varfërisë dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor”, theksoi Papa Françesku.

Ai shtoi se problemet globale, të tilla si pandemia aktuale Kovid-19 dhe ndryshimet klimatike, i kanë bërë vetëm më të dukshme këto sfida.

Kreu i Kishës Katolike të Romës u shprehu respekt punonjësve mjekësorë dhe njerëzve të tjerë që janë në vijat e para të frontit në luftën kundër koronavirusit, veçanërisht atyre që humbën jetën për këtë shkak.

Mesazhi me rastin e Ditës Botërore Katolike të Paqes çdo vit u dërgohet presidentëve, qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe religjioneve të tjera, ndërsa këtë vit ajo është titulluar “Kultura e kujdesit si një rrugë drejt paqes”.