Pandemia e Kovid 19 lë efekte afatgjate në ekonomi

TË FUNDIT

Rënie prej 3,3 për qind ka shënuar ekonomia e vendit në tremujorin e tretë, nën ndikim të pandemisë, e cila kontribuoi  dhe Banka Popullore ta rishikojë projeksionin e saj të prillit prej minus 3,5 për qind në minus 4,9 për qind. Recesioni për sivjet është i pritur, ndërsa rimëkëmbje kompetentët presin vitin e ardhshëm.

Enti Shtetëror i Statistikës dje zyrtarisht publikoi se në tremujorin e tretë të këtij viti shkalla e rritjes së BPV arrin minus 3,3 për qind.

Në këtë periudhë konsumi final i amvisërive, përfshirë edhe institucionet jofitimprurëse të cilat u shërbejnë amvisërive, do të kenë ulje nominale për 1,4 për qind, ndërsa pjesëmarrja e saj në strukturën e bruto prodhimit vendor arrin 66 për qind.

Eksporti i mallrave dhe shërbimeve ka ulje nominale për 6,8 për qind, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve shënon ulje në vlerë nominale prej 3,2 për qind.

Rritje më e madhe është shënuar në sektorët Bujqësi, pylltari dhe peshkatari prej 5,2 për qind, Ndërtimtari prej 3,4 për qind dhe në Informacione dhe komunikime prej 3,3 për qind.

Recesioni për Qeverinë është i pritur. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi theksoi se të dhënat më të reja statistikore për rënien e BPV janë të pritura.

“Qeveria që në prill paralajmëroi se ky do të jetë viti i recesionit. Ky nuk është rast vetëm te ne, por me problem të njëjtë përballen edhe të gjitha shtetet e tjera”, theksoi Bytyqi.

Ai shtoi se Qeveria mbetet në projeksionet se fundi i vitit do të jetë me rënie prej 4,4 për qind. Në disa raste thash se prodhimtaria industriale është në linjë të ngritjes në kuptim të rimëkëmbjes. Nuk mund të presim, kur kemi rënie prej mbi 30 për qind në tremujorin e dytë, të shkojmë kah linjat pozitive në tremujorin e tretë.

Pret që vitin e ardhshëm ekonomia të ecë më lartë. “Mendoj se po lëvizim në drejtim i cili na jep shpresë se vitin e ardhshëm do të mund të kemi fillim më të mirë”, tha Bytyqi.