Banorët e Pallçishtit protestën e tyre e zhvendosën para komunës së Bogovinës, ku kërkuan nga kryetari që të dalë para tyre edhe t’u japë sqarime se pse nuk po realizohet projekti i ujësjellësit për vendbanimin e tyre. Thonë se protesta e tyre nuk është politike, ndërsa kërkesa për të pasur ujë të pijshëm nëpër shtëpi është njerëzore. Shtojnë se nuk do të ndalojnë që protestuari deri sa projekti për ujësjellësin të realizohet.
“Kjo protestë nuk është kampanjë parazgjedhore, ne kërkojmë ujë si gjithë fshatrat e tjerë, të jemi të barabartë. Kërkojmë marrëveshjen që e kemi bërë me komunën, të vijë e ta realizojë! Në atë marrëveshje kemi nënshkrimin e kryetarit të komunës, kemi vulën e komunës, por ky është aq mashtrues i madh sa nuk turpërohet në sy të këtyre banorëve. Minj të ngordhur gjejmë në pishinë! Kemi video, kemi argument, do t’i postojmë ditëve në vazhdim. Do të kemi protesta edhe ditëve të tjera, kjo nuk është çështje politike, na kanë përzier me politikë.”
“Kemi ardhur tek Komuna e Bogovinës, është zyra e kryetarit të komunës, është turp për atë të mos dalë tash para mediave, para qytetarëve të komunës së Bogovinës, ne kemi ardhur! Në sa protesta e themi se ujin e kemi prioritet?! Keni fëmijë ju tjerët nga jeni?! I dërgoni në shkollë?! Edhe ne i çojmë! A mund ta kontrolloj unë mos pijë ujë në rubinetin e shkollës?! A çfarë del prej aty, del mi i ngordhur, gjarpër çka nuk del nga aty! Edhe tash në vitin 2022, ne bëjmë luftë! Na manipulojnë, na thonë politikë, çka na intereson?! Unë nuk jam në asnjë parti.”
TV21 u përpoqtë flasë edhe kryetarin e komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu, por ishte i pakapshëm në telefon. Banorët nga dita e hënë deri më sot kanë bllokuar rrugën që i lidhë fshatrat e komunës së Bogovinës, në shenjë proteste për mos realizimin e projektit të ujit të pijshëm.
