Shpallja e rezultateve nga konkursi i fundit në Spitalin Klinik të Tetovës për pranimin e personelit mjekësor, sërish ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë tek të punësuarit me kontrata.
Ata sot dolën në protestë para Spitalit duke drejtuar akuza ndaj drejtorit, ministrit dhe kryetarit të komunës së Tetovës që dy ditë para zgjedhjeve u premtuan se ata që kanë qenë të punësuar aty do të merren në punë.
“Nëntë vite jemi përball me shumë sfida, si kovidin, pas nëntë viteve pa sigurim dhe pas 9 viteve jam zëvendësuar me personel motra për ta zënë një vend pune, ta zë vendin tim që nuk i njohim, premtimi fundit nga ministri, drejtori, kryetari i komunës, erdh ministria na premtoi se gjithë që kemi punuar do marrim vendime kjo nuk u bë mbetën rrugëve.”
“Ne që sot qëndrojmë këtu duke kërkuar drejtësi dhe vendet tonë të premtuara, do shkojmë deri në fund edhe në atë që të prishet ky konkurs“.
“Edhe pse patëm premtime nga tre figura të rëndësishme, asnjëri nga ata nuk arriti të realizojë premtimin e dhënë, pasi që vendet tona i zëvendësuan me anëtarët partiak”
“Sot pas gjithë kësaj kohe jemi jashtë, jo vetëm jashtë vendit të punës, jashtë sistemit, jashtë kujdesit, një numër që nuk ekziston në listën e tyre, mundi ynë i harruar, përpjekjet tona që nuk janë vënë re, dinjiteti ynë i nëpërkëmbur. Për këtë do të ikim, nuk do të ikim se e duam perëndimin më shumë se vendin tonë. Do të ikim sepse të paktën atje vlerësohet kontributi ynë”.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, insiston mbi 80% janë ata që kanë punuar me kontratë. Pjesa tjetër që ka ngelur, sipas tij, është pjesë e profileve që nuk janë përshtatur dhe nuk kanë mundur të hyjnë në konkurs.
“Pas asaj që kam thënë dhe kam ardhur si drejtor dhe që kam mbajt një mbledhje, u kam thënë se nuk mund të përfshihen të gjithë shkaku i profileve dhe për bazë është marrë konkursi paraprak. Kështu që edhe në atë moment që kam ardhur unë, kam bërë kërkesë në Ministrin e Shëndetësisë dhe Administratës për konkurs tjetër në vitin 2026 dhe përgjigjen e kam marrë pozitive. Kemi kërkuar 133 vendime do shkojmë me procedurat dhe me hapjen e konkursit në vitin 2026, unë garantoj se edhe kjo pjesa tjetër që ka ngelur do të pranohet”, u shpreh drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.
Ata që nuk janë pranuar në bazë zë konkursit, sipas drejtorit, kanë të drejtë të ankohen. Në këtë konkurs janë pranuar 119 të punësuar me vendime, ndërsa me kontrata kanë qenë 145.
