Vitin që lamë pas, më pak se 10% e kompanive në rajonin e Pollogut kanë shfrytëzuar grantet e Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë arsye, ministri Besar Durmishi bashkë me kryetarin e Komunës së Bogovinës Feti Abazi, vizituan disa kompani për t’i njoftuar për përkrahjen që u mundësohet nga Qeveria.
“Me të vetmin qëllim që të rriten kapacitetet prodhuese, të rritet numri i punësimit, të arrijnë që të punësojnë më shumë punëtorë në kompanitë e tyre dhe njëkohësisht të ulim edhe numrin e papunësisë në vendin tonë, ku do të arrijmë të përmbushim një nga kërkesat të cilat e ka edhe agjenda reformuese e Bashkimit Evropian, të ulim numrin e papunësisë. Kemi filluar në zonën e Pollogut, pasi që informatat të cilat i kemi marrë deri më tani, është që e vetmja zonë që ka më pak aplikime apo që ka më pak të interesuar është kjo zonë”, deklaroi Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Përkundër paketave që ofron qeveria, interesi i kompanive në këtë zonë mbetet ende në nivele mjaft të ulëta. Në këtë drejtim, pushteti lokal në Bogovinë ka premtuar angazhim maksimal për të shpërndarë informacionin te çdo biznes, për t’u kthyer në një urë lidhëse mes sipërmarrësve dhe dikasterit të ekonomisë.
“Ne si komunë do bëjmë çmos që të jemi në bashkëpunim me ministrin. Çoftë se na ngelet diçka që na duhet ta realizojmë apo informatë që të arrijë deri te secila kompani, ne do e marrim përsipër. Kështu që, edhe një herë i falënderojmë ministrit për mbështetjen. Kështu që kohën sot e kemi ndarë maksimum ta shfrytëzojmë t’i takojmë të gjithë kompanitë, edhe për pritshmëritë e radhës do i njoftojë edhe vetë ministri”, tha Feti Abazi – kryetar i Komunës së Bogovinës.
Thirrja është e hapur deri më 15 qershor.
