Ministria e Mbrojtjes së Serbisë në një deklaratë për mediat bëri me dije se forcat e armatosura serbe po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.
“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim, vëmendje e posaçme do t’i kushtohet “stërvitjeve në rast të ndonjë sulmi ndaj taktikave, dhe procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”.
Sipas banorëve vendas, të cituar nga mediat vendase , automjete të blinduara dhe pajisje të tjera ushtarake kanë mbërritur në qytetet serbe Rashka dhe Novi Pazar.
Ushtria serbe kryen rregullisht stërvitje në zonën e sigurisë 5 kilometra nga vija kufitare me Kosovën.
Forcat e armatosura serbe filluan stërvitjet ushtarake në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre. Të njëjtën masë do të ndërmarrë edhe Kosova për shtetasit e Serbisë.
