Nga Radovishi deri në Bullgari me rrugë të shpejtë! Nikolloski: Punimet pritet të nisin në vjeshtë

0

Një rrugë e re e shpejtë pritet të lidhë Radovishin me kufirin bullgar, përmes Strumicës dhe Novo Sellës. Ministri i Transportit Aleksandër Nikollovski njoftoi se për projektin tashmë është shpallur procedura për përzgjedhjen e kompanisë që do të përgatisë dokumentacionin dhe studimet e nevojshme. Ofertat mund të dorëzohen deri më 8 tetor, ndërsa synimi është që kjo lidhje të krijojë një korridor të ri rrugor mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Synimi ynë është të ndërtohet një rrugë e shpejtë që do të kalojë nga Radovishi përmes Strumicës, deri në Novo Sellë – kufirin me Bullgarinë, dhe në këtë mënyrë të kemi një lidhje tjetër, përmes autostradës ose rrugës së shpejtë, me Republikën e Bullgarisë”, tha Nikolloski.

Projekti parashikon që dokumentacioni dhe studimet të përfundojnë brenda gjashtë deri në nëntë muaj, pas së cilës do të zgjidhet kompania që do të realizojë punimet. Rruga e shpejtë do të financohet me mjete vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Nikolloski pret që, nëse procedurat zhvillohen sipas planit, punimet në terren të nisin deri në vjeshtë.

“Ajo që dua të them është se do të përdorim mjete vetanake nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Ndërmarrja është në gjendje të mirë financiare, ka të hyra të mira dhe do të mund ta ndërtojmë këtë projekt. Le të mos jetë premtim, por nëse gjithçka shkon mirë dhe kemi procedurë të mirë për përzgjedhjen, fillimisht të kompanisë konsulente e më pas të kompanisë ndërtuese, pres që deri në vjeshtë të fillojmë punimet ndërtimore në terren”, tha Nikolloski.

Ministri theksoi se traseja e planifikuar nuk do të përfundojë në Strumicë, por do të vazhdojë deri në kufirin me Bullgarinë.

Arrestohet personi i dyshuar për përdhunim të personit të mitur në Tetovë

0

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është privuar nga liria një 62-vjeçar nga Tetova, i cili dyshohet se ka përdhunuar një të mitur, përcjell TV21.

“Më 25.09.2026 në orën 21:45, pas një videoje të publikuar paraprakisht në rrjetet sociale, në Stacionin Policor të Tetovës është dorëzuar vetë R.N. (62) nga një fshat i Tetovës. Me udhëzim të prokurorit publik nga PTHP Tetovë, personi është privuar nga liria për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale „dhunim i fëmijës që nuk ka mbushur 15 vjet“ sipas nenit 188 të Kodit Penal. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtutjeshme dhe për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rastit”, thonë nga MPB.

“Ryanair” paralajmëron rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave

0

Ryanair paralajmëron rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave për sezonin veror të vitit 2027, për shkak të rritjes së çmimit të naftës si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.

CEO-ja i kompanisë, Michael O’Leary, tha se çmimet e biletave pritet të rriten ndjeshëm, ndërsa Ryanair ka ulur edhe objektivat për numrin e fluturimeve për vitin e ardhshëm, për të reduktuar shpenzimet e karburantit.

Sipas O’Leary, nëse çmimi i naftës rritet nga rreth 80 në 100 dollarë për fuçi, shpenzimet e karburantit të kompanisë do të rriten me rreth 25%.

Ryanair tashmë ka raportuar rënie të fitimit neto prej 34% në tremujorin e parë të vitit fiskal, në 538 milionë euro, ndërsa shpenzimet operative u rritën me 11%.

FIFA ia ndaloi transferimet Fenerbahçes

0

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) i ka ndaluar klubit turk Fenerbahçe regjistrimin e lojtarëve të rinj.

Ndalimi është publikuar në faqen zyrtare të organizatës dhe vlen për tri afate kalimtare. Vendimi ka hyrë në fuqi më 25 shtator.

Klubi nga Stambolli njoftoi se vendimi lidhet me një pagesë të papërfunduar për transferimin e sulmuesit Yusuf En-Nesyri nga Sevilla në vitin 2024. Sipas Fenerbahçes, drejtuesit e mëparshëm të klubit nuk kanë kryer një nga pagesat për futbollistin maroken, e cila duhej të bëhej më 30 prill.

Klubi turk premtoi se borxhin do ta shlyejë të hënën, pas së cilës pritet të hiqet ndalimi për transferime.

Pas gjashtë javësh, Fenerbahçe renditet në vendin e gjashtë në tabelën e Superligës turke me 10 pikë.

Disa rrugë në Shkup pa ujë për shkak të defektit

0

Furnizimi me ujë në disa rrugë në territorin e Shkupit do të ndërpritet nga ora 14:40, për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit, njoftoi pasditen e sotme NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup, përcjell TV21. Pa ujë do të mbeten rrugët “Ho Shi Min”, “Milan Komnenksi”, “Gjorgji Kostovski”, “Kiril Mançev”,”Kraishka”, “Natanail Kuçeviski”, “Marjan Lazevski”, “Sofre Markovski”, “Kota Ristevski”, “Petar Çangov”, “Lazo Drenkov”, “Rudo”, “Dabnica”, “Marko Krale”, “Andre Mazon”, “Zufer Musiq”, “Ljubо Petkoviq”, „Prishtina“, si dhe një pjesë e rrugës “Prizreni”. Furnizimi me ujë do të jetë i ndërprerë deri në përfundimin e aktiviteteve të punës.

Polonia ofron 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar amerikan, kërkon bazë të përhershme

0

Polonia po ofron që të paguajë 15.000 dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të stacionuar në territorin e saj dhe po ofron mbulimin e kostove të infrastrukturës, teksa Varshava dhe Uashingtoni po afrohen drejt një marrëveshjeje për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar i lartë polak i mbrojtjes.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 25 shtator tha se negociatat me Pentagonin tani janë përqendruar në mënyrën e zbatimit të planit, përfshirë trupat, kapacitetet dhe lokacionet e mundshme.

“Po diskutojmë me Pentagonin variante të ndryshme të zbatimit të vendimit”, tha Zalewski.

Teksa refuzoi të thoshte se cilat njësite amerikane mund të vendoseshin apo ku, Zalewski zbuloi detaje të reja të ofertës së Polonisë për Uashingtonin.

“Ne po ofrojmë kushte shumë speciale për trupat amerikane”, tha ai.

“Ne do t’i mbulojmë kostot e infrastrukturës. Gjithashtu, po mbulojmë koston e secilit ushtar amerikan të stacionuar në Poloni me 15.000 dollarë në vit”.

I pyetur se kush do të paguante, Zalewski u përgjigj: “Paguhet nga taksapaguesit polakë”.

Oferta vë në pah vendosmërinë e Varshavës për të siguruar një prani të përhershme ushtarake amerikane, teksa Pentagoni po shqyrton dislokimin e forcave amerikane në të gjithë Evropën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 17 shtator se po bëhej përparim drejt krijimit të një baze të ushtrisë amerikane në Poloni dhe se për vendndodhjen e saj mund të njoftohej së shpejti.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë mijëra trupa në Poloni, kryesisht ata dislokohen me rotacion, dhe vendi është shndërruar në një qendër të rëndësishme për operacionet e NATO-s përgjatë krahut lindor të aleancës.

Zalewski tha se detajet e çdo dislokim të përhershëm janë duke u negociuar dhe po diskutohen në kuadër të shqyrtimit më të gjerë të Uashingtonit për qëndrimin e tij ushtarak në Evropë.

“Po diskutojmë variante të ndryshme, lloje të ndryshme të trupave, kapaciteteve dhe lokacioneve”, tha ai, duke shtuar se Varshava pret më shumë qartësi pasi të përfundojë procesi i shqyrtimit.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Për Varshavën, rëndësia e një baze të përhershme shkon përtej numrit të trupave të stacionuara atje.

“Bazat e përhershme krijojnë angazhim të përhershëm”, tha Zalewski, duke shtuar se një dislokim i tillë do të ishte më pak i varur nga ndryshimet në mjedisin politik apo ushtarak, teksa njëkohësisht do t’i dërgonte një sinjal të drejtpërdrejtë Moskës.

Një sulm ndaj Polonisë, tha ai, do të rrezikonte t’i fuste forcat ruse në konflikt të drejtpërdrejtë me trupat amerikane.

“Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm dhe urgjent për presidentin [rus, Vladimir] Putin se SHBA-ja ka interesa strategjike në Poloni dhe se sulmi ndaj Polonisë do të ishte sulm ndaj forcave të armatosura amerikane në Poloni”, tha Zalewski.

Ai argumentoi po ashtu se prania e përhershme amerikane nuk duhet të shihet thjesht si një favor që Uashingtoni po i bën Varshavës.

“Kjo bazë e përhershme nuk është rezultat i një lloj altruizmi”, tha ai, por sipas tij, pasqyron “interesa amerikane”.

Polonia ka zgjeruar me shpejtësi ushtrinë e saj dhe ka investuar shumë në sistemet amerikane të armatimit. Dy vendet kanë thelluar edhe lidhjet energjetike, përfshirë bashkëpunimin me kompanitë amerikane për termocentralin e parë bërthamor të Polonisë.

Ekspertët e sigurisë thanë se një bazë e përhershme do ta forconte angazhimin e Uashingtonit ndaj krahut lindor të NATO-s, por paralajmëruan se rëndësia e saj do të varej pjesërisht nga ajo që do të ndodhë me forcat amerikane në vendet e tjera në Evropë.

“Një bazë e përhershme amerikane në Poloni do të ishte një sinjal i rëndësishëm i angazhimit amerikan ndaj krahut lindor të NATO-s, veçanërisht teksa Uashingtoni po shqyrton qëndrimin e tij më të gjerë ushtarak në Evropë”, tha për Radion Evropa e Lirë David Cattler, ish-ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për inteligjencën dhe sigurinë.

Por, Cattler, tani bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Politika dhe Analiza Evropiane, tha se aleatët do të vëzhgojnë rezultatin më të gjerë të shqyrtimit amerikan.

“Aleatët do ta gjykojnë të gjithë tablonë: cilat forca dhe kapacitete do të mbeten, sa shpejt mund të përforcojnë Poloninë dhe shtetet baltike dhe nëse mund të operojnë së bashku në mënyrë efektive”, tha ai.

“Një bazë do ta forconte parandalimin nëse i shton krahut lindor kapacitete reale. Ajo do të bënte shumë më pak për t’i siguruar aleatët nëse shoqërohet me reduktime të konsiderueshme të pranisë amerikane diku tjetër në Evropë”.

Matthew Boyse, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson dhe ish-zëvendësndihmëssekretar amerikan i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, tha se negociatat pasqyrojnë rolin në rritje të Polonisë në NATO.

“Këto bisedime për bazën tregojnë vlerën e vazhdueshme të Polonisë si një aleate e madhe e NATO-s”, tha Boyse për Radion Evropa e Lirë.

Polonia ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen vitet e fundit dhe është shndërruar në një nga vendet e NATO-s që shpenzojnë më shumë për ushtrinë në raport me madhësinë e ekonomisë së tyre.

“Në vend se të ankohet për ‘besueshmërinë’, Polonia po bën gjithçka që mundet”, tha Boyse. “Administrata e sheh dhe e vlerëson këtë”.

Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, tha se mundësia e një baze të përhershme do të mirëpritej në vendet më të afërta me Rusinë, por paralajmëroi se mbetet pasiguri për qasjen më të gjerë të Uashingtonit ndaj Evropës.

“Mundësia e një baze të përhershme amerikane në Poloni është lajm i mirë për polakët dhe të tjerët përgjatë krahut lindor të NATO-s, veçanërisht mes shqetësimeve në rritje për kërcënimin që paraqet Rusia”, tha Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

“Megjithatë, kjo është ende një periudhë pasigurie për NATO-n”, tha ai duke iu referuar marrëdhënies që ndonjëherë është e tensionuar mes Trumpit dhe aleatëve dhe shqyrtimit të Pentagonit, i cili mund të reduktojë praninë amerikane në vende të tjera të Evropës.

Përpjekjet e Varshavës për një prani të përhershme amerikane vijnë në kohën kur Rusia duket gjithnjë e më e gatshme të marrë rreziqe ndaj anëtarëve të NATO-s.

“Gatishmëria e Rusisë për të pranuar rrezik më të madh është e dukshme dhe Rusia është e gatshme të përshkallëzojë situatën”, tha Zalewski.

Ai iu referua incidenteve të fundit që Polonia i ka lidhur me Rusinë, përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore dhe aktet e dyshuara të sabotimit, duke thënë se ato ilustrojnë presionin me të cilin përballen vendet në krahun lindor të NATO-s.

Polonia, tha ai, po përgjigjet si përmes aleancës së saj me SHBA-në, ashtu edhe përmes NATO-s.

Për Varshavën, një bazë e përhershme amerikane do t’i shtonte një shtresë tjetër këtij parandalimi, duke e bërë të qartë se çdo përballje ushtarake që përfshin Poloninë mund të përfshijë menjëherë edhe forcat amerikane.

“Bazat e përhershme krijojnë angazhim të përhershëm”, tha Zalewski.

​Tahiri: Ramush Haradinaj është profili dhe lideri që i duhet Kosovës për president

0

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka treguar vullnet për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, thotë nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri.

Tahiri, në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, tha se Aleanca nuk ka nevojë për takim me Kurtin, pasi, sipas tij, ende nuk ka marrë përgjigje për gjashtë kërkesat që ia ka adresuar, ku përfshihet edhe gazi amerikan.

Ai e cilësoi procesin e deritanishëm për zgjedhjen e presidentit si një proces për konsum publik.

Vendi ka kohë deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin.

A pranon Aleanca të takohet me Kurtin për çështjen e presidentit, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së?

“Çfarë diskutimi përmbajtësor ka pasur në gjashtë kërkesat tona? Të ka thirrë në takim? Njësoj sikur të tjerët, ne e kemi thënë: s’kemi nevojë, s’jemi kah duam takim, s’duam qeveri. Çka po më lyp ti, a po më kallëzon mua për këto gjashtë pika çka mendon? Po çka ndodhi? A e pe çka ndodhi? Është propozuar një kandidat që nuk gjeti mbështetje. Nuk diskutoj, e kam qëndrimin për atë temë, nuk dua me hy. Ditën e parë e kam thënë, i gjithë procesi i diskutimit për president, në këtë format, është për konsum publik, me qëllim për mos me u zgjedh… Seriozitet i bie që unë ta kam dërgu ty një letër. T’i kam adresuar gjashtë pika, për këto pika ti s’më ke kthyer letër. Unë të kam thënë, kjo është qëndrimi im, ti mund të më kishe thënë: hajde të ulemi, të flasim për ndërtimin e institucioneve. O burrë, s’po duam me hy në institucione. Unë po të them, për me i marrë shtatë votat e Aleancës, nuk ke nevojë me i dhënë Aleancës një, dy, tre, katër… Kur ka vullnet, gjithmonë mënyra mundet me u gjet. Po kur ka vullnet se qysh me e mashtru njëri-tjetrin, aty veç e sheh që s’ka vullnet. Aty ka lojë, jo vullnet”, thotë Tahiri.

I pyetur sa mund të ketë një kandidat të propozuar nga PDK, LDK dhe Aleanca, veçmas pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Tahiri tha se kjo mbetet në dorën e opozitës për të përcaktuar se çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në këto rrethana.

Sipas tij, Ramush Haradinaj është profili dhe lideri për president që i duhet Kosovës dhe rajonit.

“Kjo është në dorën e opozitës. Çfarë profili dhe lideri i duhet Kosovës në rrethanat që është, e dinë secili qytetar. Çkado që të them tash, krejt ata mund të thonë se po ka qejf, se e ka të vetin. Po s’po kam qejf, përbesë, as nuk është në zor zoti Haradinaj për këtë pozicion. Në rrethanat që është sot Kosova dhe Ballkani Perëndimor, unë jam i bindur se Ramush Haradinaj i kishte bërë nder dhe ish kanë një president që i kish shërbyer vendit. Ai i ka ndonjëherë qëndrimet e tij, por veç një po të them: kurrë dëm nuk i ka bërë Kosovës pas luftës. Në luftë nuk dua të hy andej, por e din populli. Shtatë vjet i ka mbajtur burg, sa ka qenë në qeveri e ka pasur të vështirë, pasi ka pasur numra pak, po ia la Kosovës ushtrinë dhe shumë çështje të tjera. Në këto rrethana i kish përafru palët”, shton Tahiri.

Nëse s’ka dakordim për presidentin deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, më së largu më 15 nëntor.

E Tahiri deklaron se Aleanca është gati për zgjedhje të reja.

“Aleanca si subjekt politik ka treguar që në katrahurën më të madhe, jo që i merr gjashtë, por shtatë deputetë. Aleanca, në zgjedhjet e ardhshme, nuk po them që dyfishohet apo trefishohet, por do të dalë e konsoliduar. E vetmja parti politike që ka qëndrime shumë të sakta për gjithçka”, shton Tahiri.

Më 28 dhjetor, deputetët do të mblidhen në seancën e parë plenare të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Mes tjerash, pritet të miratohet edhe një deklaratë në kundërshtim të dënimit të katërshes së UÇK-së.

Tahiri tregon efektet që mund t’i ketë ky veprim i Kuvendit.

“Nuk ka efekt juridik, ka efekt politik, pra e detyron qeverinë me vepru, për shkak se deklarata do të duhej të jetë tekst i pajtuar me të gjitha grupet parlamentare. Dhe ne do të presim çka do të jetë përmbajtja. Esenca është kjo, kur nuk ka qëndrim institucional, shtetëror, atëherë i lë hapësirë për spekulim dhe konspiracion tek palë të cilat janë kundër asaj çka ne po themi. Këta kanë fol në Facebook, këta kanë bërë video, po s’ka qëndrim të shkruar, nuk ka qëndrim të votuar… Ajo që duhet ta di secili zyrtar shtetëror në raport me 16 shtatorin është kjo. Këta katër burra nuk kanë nevojë për me i vajtu dikush. Ata burra kanë nevojë për veprim shtetëror të Kuvendit, të Qeverisë në raport me procesin të cilin e kanë përpara, respektivisht apelin”, potencon ai.

Ai kërkon nga qeveria që më së largu javën e ardhshme të kthejë në Kuvend ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale.

“As nuk është kauzë, e as nuk e fiton askush asnjë votë në këtë temë, se mua fëmija e djepit nuk po mundet me më mashtru, e lëre më votuesin. Dhe në qoftë se ka qenë ai qëllimi, që unë e di që nuk ka qenë qëllimi, po qëllimi është me i bë disa provizione që e ndihmojnë procesin, kështu së paku neve na u shpjegua dhe unë së paku këtë e besoj edhe dua ta besoj… Këtë temë rreth rolit të Qeverisë në këtë ligj e theksova edhe në Kryesi. Pse e theksova? S’ka asnjë logjikë që me prit 30 ditë, për shkak se ne po e dimë pse po e bëjmë këtë ligj. Në qoftë se ka ndonjë ankesë, konsultim, këtu janë palë që e kanë shkru. Mundemi me i diskutu rreth kësaj teme. Qeveria do të ishte dasht jo më larg se deri të hënën me ia kthy këtë ligj Kuvendit, që me përfundu këtë ligj sa më shpejt”, përfundon Tahiri.

Carlos: I humba të gjitha paratë që fitova nga futbolli

0

Në fund të viteve 2000 ai ishte një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Roberto Carlos fitoi gjithçka me fanellën e Realit të Madridit dhe kombëtaren braziliane. Për kohën ishte një nga lojtarët më të paguar, por duket se gabimet e bëra rrugës i kanë sjellë pasoja të mëdha financiare yllit brazilian.

“Kam pasur probleme me njerëz që më zbrazën llogarinë bankare. Për shkak të agjentëve dhe çështjeve familjare, humba 99% të gjithçkaje që kisha fituar nga futbolli. Bëra gabime dhe prandaj u bëj thirrje lojtarëve më të rinj të mos i përsërisin ato. Kam pasur një problem serioz me ish-agjentin tim. Kam pasur një çështje familjare shumë serioze.”

Këto ishin fjalët e Roberto Carlosit, ish-yllit të Real Madridit, gjatë pjesëmarrjes së tij në “Portugal Football Summit”.

Kërkohet paraburgim për inspektoren e AUV-së, kërkoi 250 euro ryshfet për të “mbyllur sytë” ndaj parregullsive në një kompani

0

Një inspektore e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV-së) dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 250 euro ryshfet për të mbyllur sytë ndaj parregullsive në një objekt, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, 42-vjeçarja, gjatë periudhës 17–25 shtator, nga drejtuesi i një kompanie ka marrë paratë në këmbim të përgatitjes së një procesverbali ku do të konstatonte se kishte kryer kontroll dhe se në objekt nuk kishte parregullsi.

“Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, sipas nenit 357, paragrafi 1 të Kodit Penal. E dyshuara, 42-vjeçare, e punësuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, në cilësinë e personit zyrtar – inspektore e ushqimit, gjatë periudhës nga 17 deri më 25 shtator, ka kërkuar dhe ka pranuar 250 euro ryshfet nga drejtuesi i një personi juridik. Në këmbim, ajo duhej të përgatiste një procesverbal ku do të konstatonte se kishte kryer mbikëqyrje inspektuese dhe se nuk kishte parregullsi në punën e objektit, përkatësisht se ai i kishte respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për punë. Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë që e dyshuara të ndikojë te i dëmtuari dhe në dëshminë e tij, si dhe mundësisë që, duke shfrytëzuar pozitën e saj si inspektore, të përsërisë veprën të cilën nuk duhej ta kryente, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit“, thonë nga Prokuroria.

 Mbappe largohet nga Franca, rikthehet në Madrid për ekzaminime pas lëndimit

0

Kylian Mbappe është detyruar të largohet nga grumbullimi i Kombëtares së Francës dhe të rikthehet në Madrid për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, pas lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Turqisë.

Sulmuesi i Real Madridit shënoi golin e parë të Francës në epokën e re të trajnerit Zinedine Zidane, por menjëherë pas goditjes ai shfaqi dhimbje në gjurin e majtë dhe nisi të çalonte.

Mbappe tentoi të vazhdonte ndeshjen pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, mirëpo dhimbjet u rikthyen dhe francezi kërkoi zëvendësimin.
Ekzaminimet fillestare në Francë kanë ngritur dyshime për një dëmtim të tendinit në gjurin e majtë. Trajneri Zidane ka deklaruar gjithashtu se Mbappe ka pësuar hiperekstension të gjurit.

Real Madridi tashmë po pret rezultatet e testeve të mëtejshme për të kuptuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit të sulmuesit.
Lëndimi është veçanërisht shqetësues për klubin spanjoll, pasi Mbappe ka pasur probleme edhe më herët me gjurin e majtë, ndërsa Real Madridi e pret një periudhë e ngjeshur e sezonit, përfshirë edhe përballjen e radhës ndaj Barcelonës në “El Clasico”.