Sulmet në Detin e Zi – Erdogani ia tërheq vërejtjen Zelenskyt

0

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se sulmet e Rusisë dhe Ukrainës ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi ishin të pashpjegueshme dhe se duhet të ndërmerren hapa për t’i ndaluar ato, sipas një njoftimi të zyrës së tij të enjten.

Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ka ruajtur marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, u ka bërë vazhdimisht thirrje palëve ndërluftuese të ndalojnë sulmet në Detin e Zi. 

“Gjatë takimit, presidenti Erdogan deklaroi se Turqia ishte e gatshme të bënte gjithçka që mundet që lufta Ukrainë-Rusi të përfundojë me një paqe të qëndrueshme dhe se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të ringjallur negociatat e drejtpërdrejta”, ka thënë presidenca turke në një deklaratë.

“Presidenti ynë deklaroi se duhet të ndërmerret një hap lidhur me sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, se sulmet ndaj anijeve tregtare janë të pashpjegueshme dhe se presim që palët të veprojnë me përgjegjësi”, thotë me tej deklarata.

Ankaraja zyrtare ka thënë se u ka dërguar propozime Ukrainës dhe Rusisë për ndalimin e sulmeve, disa prej të cilave kanë goditur anije në pronësi turke dhe kanë shkaktuar vdekjen e shtetasve turq, dhe se është në pritje të përgjigjes së tyre.

Turqia ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që transporti i drithërave të mund të kryhet në mënyrë të sigurt nga rajoni.

Zelensky u kishte thënë liderëve në një samit të “Platformës së Krimesë”, të zhvilluar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se Kievi ishte i gatshëm për një armëpushim detar në Detin e Zi, bazuar në propozime të tilla si ato të paraqitura nga Egjipti, India dhe Turqia.

Importuesit kryesorë të grurit në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të cilët varen nga rajoni i Detit të Zi për furnizimet me grurë, e kanë pasur të vështirë sigurimin e tyre. Çmimet globale të grurit janë rritur ndjeshëm.

Turqia dhe Kombet e Bashkuara kanë ndihmuar në ndërmjetësimin e të ashtuquajturës Iniciativa për Drithërat e Detit të Zi në korrik të vitit 2022, me qëllim që të mundësohej eksporti i sigurt i drithërave ukrainase gjatë luftës. Megjithatë, Rusia është tërhequr nga marrëveshja një vit pas, duke u ankuar se eksportet e saj të ushqimeve dhe plehrave po përballeshin me pengesa serioze.

Ankaraja i ka ofruar mbështetje ushtarake Kievit dhe ka shprehur mbështetje për integritetin e tij territorial, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës dhe ka ruajtur marrëdhëniet tregtare me Rusinë. Ajo ka pritur runde të mëparshme të bisedimeve të drejtpërdrejta mes palëve dhe ka ofruar të ndërmjetësojë.

Arrest shtëpie për Vlora Hysenin, Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën e sigurisë

0

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, la në fuqi masën “arrest shtëpie” për ish-kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Prokuroria e Posaçme po heton Vlora Hysenin për veprat penale nxjerrje të sekretit hetimor dhe përkrahje të autorit të krimit, në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e AKSHI-t.

Hapet ekspozita e 5-të globale e tregëtisë digjitale

0

Të enjten në Hangzhou u mbajt ceremoninia e hapjes së Ekspozitës së 5-të Globale të Tregtisë Digjitale.

Duke folur në këtë event , kryeministri kinez ,Li Qiang tha se Ekspozita Globale e Tregtisë Digjitale është bërë një platformë e rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit global në ekonominë digjitale. Përballë valës së digjitalizimit, në cilin drejtim do të zhvillohet tregtia digjitale? Si duhet të veprojë komuniteti ndërkombëtar për të përfituar nga ky trend? Çfarë roli mund të luajë Kina? Kryeministri Li ndau tre mendime.

Së pari, përmes tregtisë digjitale kuptojmë ndryshimet dhe tendencat e reja në zhvillimin e ekonomisë dhe tregtisë ndërkombëtare. Zhvillimi i vrullshëm i tregtisë digjitale sjell shtysë dhe mundësi të reja, duke nxitur lidhjen e tregjeve dhe inovacionin në tregtinë globale.

Së dyti, të gjithë palët duhet të promovojnë zhvillimin më të mirë të tregtisë globale në epokën digjitale me një qasje të hapur. Komuniteti ndërkombëtar duhet të forcojë bashkëpunimin dhe ndërlidhjen digjitale për të nxitur tregti më të lirë, të ngushtojë hendekun digjital për të nxitur tregti më gjithëpërfshirëse dhe të rrisë mbështetjen për vendet në zhvillim, si dhe të përmirësojë qeverisjen digjitale për të nxitur tregti më të rregullt, të përshpejtojë konsultimet mbi rregullat e tregtisë digjitale.

Së treti, Kina do të kontribuojë më shumë në tregtinë globale digjitale përmes veprimeve konkrete. Kina do të vazhdojë të zgjerojë kërkesën për konsum digjital, do të promovojë “inteligjencën artificiale + konsum”, do të lehtësojë më tej hyrjen në treg, do të optimizojë politikat për importet me pakicë përmes tregtisë elektronike ndërkufitare dhe do të ndajë mundësitë e tregut me vendet e tjera. Gjithashtu do të forcojë bazën e industrisë digjitale, do të shtojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën digjitale dhe do të fuqizojë procesin global të digjitalizimit.

Kryeministri i Malajzisë Anwar Ibrahim, Kryeministri i Kirgizistanit Adylbek Kasymaliev dhe të tjerë morën pjesë në ceremoninë e nisjes dhe mbajtën fjalime, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO), Gerd Müller, dhe të tjerë mbajtën fjalime përmes videove. Në ceremoni morën pjesë më shumë se 1200 përfaqësues nga gati 50 vende dhe rajone, si dhe organizata përkatëse ndërkombëtare.

Pas vitesh pritjeje, më në fund zyrtarizohet ndeshja Fury–Joshua

0

Tyson Fury dhe Anthony Joshua do të përballen më 11 dhjetor në një prej meçeve më të shumëpritura në historinë e boksit. Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Principality” në Cardiff të Uellsit.

Dy ish-kampionët e botës në peshat e rënda më në fund do të përballen mes tyre, pas vitesh negociatash dhe përpjekjesh për ta realizuar këtë duel.

Fury, 36 vjeç, hyn në këtë përballje me bilanc prej 36 fitoreve, dy humbjeve dhe një barazimi, ndërsa 25 prej fitoreve i ka siguruar me nokaut. Humbjet e tij të vetme në karrierë kanë ardhur ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk, në dy përballje radhazi gjatë vitit 2024.

Joshua, 36 vjeç, ka bilanc prej 30 fitoreve dhe katër humbjeve, me 27 fitore me nokaut. Britaniku ka qenë dy herë kampion i unifikuar në kategorinë e rëndë dhe kampion olimpik në Londër më 2012.

Kjo do të jetë përballja e parë mes Furyt dhe Joshuas në ring, pavarësisht se prej më shumë se një dekade janë konsideruar ndër emrat kryesorë të gjeneratës së tyre në peshat e rënda.

Stadiumi “Principality” ka kapacitet prej rreth 74 mijë spektatorësh, ndërsa në organizime boksi kapaciteti mund të rritet edhe më tej. Joshua ka boksuar dy herë më parë në këtë stadium, duke mposhtur Carlos Takamin në vitin 2017 dhe Joseph Parkerin në vitin 2018.

Përballja Fury–Joshua pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha të boksit gjatë vitit 2026 dhe do të transmetohet nga Netflix. Vlera e eventit është raportuar të jetë rreth 200 milionë dollarë.

SHBA-ja planifikon të ndalojë eksportin e naftës për 90 ditë, reagon BE-ja

0

Bashkimi Evropian po i ndjek me shqetësim planet e paralajmëruara të Shteteve të Bashkuara për ndalimin e eksportit të naftës dizel, përfshirë edhe eksportin drejt BE-së, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.

“Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së në fushën e energjisë është i fortë, i qëndrueshëm dhe me përfitim të ndërsjellë. Çdo ndërprerje mund të ndikojë negativisht te të dyja palët”, tha Gill, duke shtuar se BE-ja pret që “partnerët e afërt të konsultohen me njëri-tjetrin para marrjes së masave që ndikojnë në tregjet e përbashkëta”.

Bashkimi Evropian është një importues i madh i naftës dizel nga SHBA-ja, prej nga siguron rreth gjysmën e konsumit të tij.

Gill tha se janë duke u zhvilluar kontakte të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të BE-së dhe administratës amerikane.

Zëdhënësja për çështjet e energjisë, Anna-Kaisa Itkonen, tha se Komisioni po e monitoron nga afër situatën në tregje, duke theksuar se “aktualisht nuk ka mungesë të naftës dizel në Bashkimin Evropian”.

Sipas raportimeve të mediave, administrata e Trumpit po përgatit një plan për ndalimin e eksportit të naftës dizel për një periudhë prej 90 ditësh, në përpjekje për të ulur çmimet e energjisë, të cilat paraqesin barrë për republikanët para zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, sipas të njëjtave raportime, brenda vetë administratës ka ndarje lidhur me këtë çështje.

Kundër ndalimit të eksportit të naftës dizel janë edhe prodhuesit amerikanë, të cilët frikësohen se përfitimet afatshkurtra mund të anulohen nga çmimet më të larta të karburanteve në të ardhmen.

“The Independent”: Rusia mund të sulmojë me dronë Francën, Spanjën dhe Italinë

0

CIA ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet të kryejë sulme me dronë në Europë, duke vënë në shënjestër nga deti Francën, Spanjën dhe Italinë, ka raportuar të enjten (24.09.2026) gazeta britanike, “The Independent”, duke iu referuar një dokumenti.

Disa qeverive europiane u është përcjellë informacioni mbi planet e supozuara të Kremlinit për ta përshkallëzuar ndërhyrjen në kontinent, ka theksuar një burim anonim pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë për gazetën spanjolle, “El Mundo”.

Autoritetet lituane besojnë se Rusia mund ta përdorë dronin “Gerbera”, të mbushur me eksploziv, të lëshuar nga deti, që të shkaktojë zjarr, të dëmtojë pajisje të pambrojtura ose të mbyllë përkohësisht një port apo aeroport, thuhet në raport.

Një provokim i tillë do të pasonte një sërë inkursionesh të raportuara dhe aktesh të dyshuara sabotimi në krejt Europën Lindore, për të cilat fajësohet Rusia. Deri më tani, këto sulme nuk e kanë kaluar pragun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Spanja, Franca dhe Italia mund të bëhen caqe të sulmeve të ardhshme, pasi të tria kanë fushata ose zgjedhje të planifikuara për vitin e ardhshëm, sugjeron raporti, duke vënë në dukje praninë e “forcave radikale” brenda kufijve të tyre që mund të shfrytëzojnë lodhjen e opinionit publik lidhur me çështjen e Ukrainës.

Droni “Gerbera” mban ngarkesë prej rreth katër deri në pesë kilogramësh dhe mund të përshkojë një distancë deri në 600 kilometra, duke fluturuar me një shpejtësi prej rreth 160 kilometrash në orë.

Thuhet se Lituania mësoi për këto plane pas vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë në fundgusht. Burime diplomatike nga një vend baltik i thanë gazetës “El Mundo” se më vonë ishin informuar për vizitën.

Disa analistë të mbrojtjes, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur, i kanë thënë gazetës se janë në dijeni të raporti të CIA-s që po qarkullon mes ministrive të jashtme europiane, e në të cilin përshkruhet një sulm i mundshëm.

“The Independent” nuk ka mundur ta verifikonte ekzistencën e raportit të tillë dhe i kërkoi CIA-s koment, por nuk mori përgjigje.

Më herët gjatë javës, Ratcliffe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në aeroportin Shannon në Irlandë, raportoi agjencia Reuters, duke cituar dy persona të informuara me çështjen, të cilët nuk pranuan të zbulonin detaje të bisedës së tyre.

Duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork të mërkurën, ministri i Jashtëm lituan, Kestutis Budrys, i tha Reutersit se shërbimet e inteligjencës së aleatëve tregonin për një rrezik që Rusia të përpiqej të zgjeronte presionin ndaj vendeve të NATO-s përmes sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe formave të tjera të veprimtarisë hibride.

Veç kësaj, shërbimi danez i inteligjencës së mbrojtjes deklaroi në një vlerësim të ri të kërcënimeve, të publikuar të enjten, se pret gjithashtu që gjatë muajve të ardhshëm Rusia ta përshkallëzojë luftën e saj hibride.

“Nuk kishte gabim mjekësor te lehona e Strumicës”, Klekovski: Arsyeja gjakderdhje e rrallë neurologjike

0

Komisioni profesional për rastin e lehonës nga Strumica konstatoi se nuk ka pasur gabim mjekësor. Sipas Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës Profesionale, i përbërë nga pesë ekspertë – gjinekolog, anesteziolog, neurolog, neurokirurg dhe radiolog – konstatoi unanimisht se gjendja neurologjike e pacientes nuk ishte pasojë e anestezisë spinale dhe as e ndonjë gabimi mjekësor.

Dy nga ekspertët ishin nga Serbia dhe Sllovenia. Konstatimi u dha pas mbikëqyrjes së trajtimit të lehonës në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën e Neurologjisë në Shkup.

 “Pacientja u bart për shkak të gjendjes klinike e cila bën pjesë në grupin e shtatzënive të rrezikuara. Paciente me një operacion të mëparshëm, përkatësisht një lindje cezariane, obeze dhe me lindje më herët nga termini. Ekipi profesional vlerësoi se duhet të dërgohet, me paralajmërim të mëhershëm nga një instancë më e lartë, që është Spitali i Shtipit, ku ishte pranuar dhe operacioni është bërë i rregullt pa asnjë problem gjatë operacionit”, theksoi Igor Samarxhiski, gjinekolog.

Anestezia është aplikuar në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore, ndërsa ndryshimi në palcën kurrizore është konstatuar dukshëm më lart. Pas lindjes, pacientja është lëshuar nga spitali pa simptoma neurologjike, të cilat janë shfaqur disa ditë më vonë.

 “Pas operimit pacientja është lëshuar pa pasur të dokumentuara simptome neurologjike, e ato janë shfaqur disa ditë më vonë. Sipas komisionit, arsyeja më e besueshme është gjakderdhja spontane nga një anomali e rrallë e enëve të gjakut, në nivel më të lartë, e cila nuk mund të vërtetohej me angiografi që ishte bërë  në Klinikën e neurologjisë. Arsyeja akoma nuk është vërtetuar përfundimisht”, u shpreh Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se mbeten në kontakt me pacienten dhe familjen e saj dhe do të vazhdojë ta mbështesin gjatë trajtimit dhe rehabilitimit. Edhe Komisioni rekomandon diagnostikim shtesë për përcaktimin përfundimtar të shkakut dhe vazhdimin e rehabilitimit.

Liga e Kombeve, Kosova sonte përballet me Irlandën

0

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të nis sot aventurën në Ligën e Kombeve, ku është pjesë e grupit 3 në Ligën B. “Dardanët” do të luajnë sonte ndeshjen e parë grupit ndaj Republikës së Irlandës, e paraparë të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45.

Ekipi i Franco Fodas është gati për këtë përballje edhe përkundër disa mungesave në mesfushë sikurse ato të Florent Muslijës dhe Elvis Rexhbeçajt, si dhe largimeve të Amir Rrahmanit dhe Florent Hadergjonajt.

Megjithatë, përzgjedhësi i Kosovës ka rifreskuar ekipin me disa prurje të reja cilësore si ato të Erblin Osmanit, Dion Kaçurit dhe Milot Avdylit.

Maqedonia e Veriut luan dy ditë më pas, të shtunën në ora 20:24, në Shkup ku do të përballet  me përfaqësuesen e Zvicrës. Në të njëjtin termin në Tiranë, Shqipëria ndeshet me Bjellorusinë.

“Pse nuk thoni se janë të pafajshëm?”/Haga përplas Ajdarin dhe Shasivarin në Kuvend

0

Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit, për aktgjykimin ndaj liderëve të UÇK-së nga ana e gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ishte temë e pyetjes së deputetes së BDI-së, Rina Ajdari. Ajo tha se me qëndrimin e tij, ministri ka bërë thirrje për pranimin paqësor të vendimit.

“Pse sot nuk mund të thoni qartë dhe me zë të lartë se lufta ka qenë e drejtë dhe liderët e saj janë të pafajshëm, por fshiheni pas frazave burokratike dhe shkallëve të procedurës së ankesës? Për cilat interesa keni një qëndrim të tillë, pa pasur guxim ta mbroni të vërtetën? A mendoni se me këtë lojë fjalësh po i ikni përgjegjësisë morale apo do të vazhdoni të jeni ministër pa pasur besimin e qytetarëve, të cilët mendonin se i përfaqësonit?”, tha Ajdari.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, tha se deklarata e tij është shtrembëruar tërësisht dhe po keqpërdoret për manipulim politik dhe mbledhje të pikëve të lira politike. Ai sqaroi se deklarata e tij është bërë para publikimit të aktgjykimit dhe se i referohej faktit se, çfarëdo që të jetë vendimi, ekziston e drejta për ankesë.

“Të thuash se një vendim, i cili është qëndrim i komunitetit evropian dhe ndërkombëtar, duhet të respektohet, nuk do të thotë se pajtohesh me atë vendim, me përmbajtjen e vendimit, por kjo do të thotë të shfrytëzohet ankesa si mjet juridik. Edhe një herë më vjen keq që ju, me shtrembërime të ndryshme, me manipulime, përpiqeni të krijoni një opinion publik dhe shihet se nuk keni sukses në këtë”, deklaroi Shasivari.

Ministri Shasivari, në një postim në faqen e tij në Facebook, para publikimit të aktgjykimit, kishte shkruar se, çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, ndërsa palët kanë të drejtë ankese. Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë dhe të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.

Nga 29 tetori, patentë shoferi dhe letërnjoftimi në telefon përmes “m.Shërbime”

0

Ministria e Transformimit Digjital do ta promovojë më 28 tetor aplikacionin kombëtar mobil “m.Shërbime”, përmes të cilit qytetarët do të mund të kenë qasje në dokumente elektronike dhe shërbime shtetërore direkt nga telefoni, përcjell TV21.

Ministri Stefan Andonovski tha se aplikacioni do të jetë falas dhe përdorimi i tij nuk do të jetë i detyrueshëm. Në versionin e parë do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe shërbime për vërtetimin e stazhit dhe qasjen në të dhënat personale.

Sipas Andonovskit, dokumentet digjitale do të lidhen me një mekanizëm të sigurt për identifikim elektronik, që mundëson verifikimin e autenticitetit dhe vlefshmërisë së tyre në kohë reale.

Aplikacioni është zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Këshillit të Lisbonës, Polonisë dhe Ukrainës, me vlerë mbi 1.5 milionë euro. “m.Shërbime” do të jetë në dispozicion në Play Store dhe App Store nga 29 tetori.