“Pagë për ju, pagë për ne” – me këtë parullë, punonjësit e “Florakom” dhe “Luna”, kompani të lidhura me “Parqet dhe gjelbërimet”, edhe sot dolën në protestë përpara hapësirave të ndërmarrjes publike. Me fishkëllima dhe thirrje “duam pagë”, ata e shprehën revoltën jo vetëm për shkak të mosmarrjes së pagës për shtatorin dhe sigurimit shëndetësor, por edhe për mungesë të kushteve themelore të punës. Ata sërish e ftuan udhëheqjen, por edhe kryetaren aktuale të Shkupit, Danella Arsovska, që t’ua zgjidhin problemet.
“Çdo ditë kërkojmë takim me drejtorin e ‘Parqet dhe gjelbërimet’ dhe me Bordin Drejtues. Tashmë një muaj nuk ka dëshirë të na pranojë. Gjithashtu kërkojmë takim edhe me kryetaren e qytetit të Shkupit, si personin më kompetent që, sipas ligjit, duhet të sigurojë mjete për punë dhe për paga. Ne do të protestojmë deri në momentin kur të paktën paga të paguhet”, tha Goran Risteski, Kryetar i Sindikatës së Përgjithshme të Administratës Shtetërore.
Punonjësit thonë se drejtuesit e ndërmarrjes nuk dëshirojnë aspak të komunikojë me ta dhe pohojnë se e kanë pritur drejtorin përpara zyrës së tij, por ai nuk ka ardhur fare. Ata shpresojnë që pas procesit zgjedhor do të gjejnë mirëkuptim si nga drejtoria e re, ashtu edhe nga kryetari i ri i qytetit.
“U lodhëm duke kërkuar pagë, tashmë është nëntor, ndërsa ne duhet të marrim pagën për shtator. Me të vërtetë na ka ardhur në majë të hundës që të kërkojmë diçka elementare – pagën. Ka njerëz që duhet të paguajnë fatura, qira, të shkollojnë fëmijët. Kjo është turp. Nuk ka negociata, nuk ka asnjë marrëveshje, nuk ka asgjë nga pala tjetër, kështu që nuk e di në çfarë drejtimi do të shkojë kjo situatë”, theksoi Atanas Gjorgjievski – kryetar i Sindikatës së Pavarur të “Parqet dhe Gjelbërimet”.
Sindikatat e “Florakom” dhe “Luna” më parë kishin formuar një këshill grevist, por vendimin për grevë e kanë vënë në pritje, sepse nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e saj, pra nuk ka përfunduar procesi për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës. Ata thonë se, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, pas përmbushjes së kushteve, do të hyjnë në grevë.
