Të punësuarit në “Postë” deri të premten do t’i marrin rrogat e tyre. Ky është epilogu nga takimi i sotëm i Sindikatës së “Postës së Maqedonisë” dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski bashkë me drejtorin e ndërmarrjes, Vasko Stefanov. Nga Ministria bëjnë me dije se mes të tjerësh është dakorduar që deri në fund të vitit të ketë sistematizim të ri.
“Bordi Drejtues i SH.A. “Posta” do të fillojë me përgatitjen e sistematizimit të ri dhe riorganizimit me qëllim që të ketë produktivitet maksimal të të punësuarve. Qeveria do ta ndjekë tërë procesin e riorganizimit, racionalizimit dhe optimizimit të punës në SH.A. “Postë”.”- thonë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Do të kërkohet zgjidhje edhe për situatën në Ndërmarrjen “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, pasi sot skadoi afati brenda të cilit kryetarja Danella Arsovska, me kërkesë të sindikatës së kësaj ndërmarrjeje, duhej ta shkarkonte u.d. drejtorin Marjan Mitovski, për shkak të largimit nga puna të të punësuarve dhe kërcënimeve. Siç thonë nga atje, ndaj personit në fjalë tashmë është shqiptuar aktgjykim dënim me burg, për sulm me thikë ndaj një personi tjetër.
“Nesër si sindikatë përfaqësuese në sektorin e shërbimeve komunale, do ta thërrasim Bordin Ekzekutiv dhe do të fillojmë me përgatitjet, gjegjësisht me procedurë për grevë. Pasi ta sjellim vendimin, do ta informojmë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, në pajtueshmëri me Ligjin për Zgjidhjen Paqësore të Kontesteve të Punës, duke kërkuar një pajtues ose ndërmjetësues të licencuar.”, tha Darko Dimovski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska, thotë se do të caktohet një ndërmjetësues.
“Në qoftë se LSM-ja dorëzon kërkesë për ndërmjetësim, sigurisht se do të veprojmë në përputhje me ligjin dhe do të caktojmë një ndërmjetësues, i cili do të përpiqet ta zgjidhë problemin përmes ndërmjetësimit me qëllim që greva të ndërpritet derisa të arrihet një zgjidhje.”, pohoi Jovana Trençevska, Ministre E Punës Dhe Politikës Sociale.
Ndryshe, Mitovski është emëruar u.d. drejtor i “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” pasi kryetarja Arsovska shkarkoi drejtorin e mëparshëm Zllatko Perinskin, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth tenderit për një stacion filtrues.
