Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkoi nga Qeveria apo Kuvendi që të rritet paga minimale për 6000 denarë. Kjo rritje do të ishte pas harmonizimit ligjor që duhet të bëhet deri në fund të këtij muaji dhe do të arrinte diku rreth 1800 denarë. Ata paralajmëruan grevë nëse kërkesa nuk pranohet.
“Deputetët kanë mundësinë të jenë në nivelin e detyrës dhe në vend të marrin 2500 euro shpenzime udhëtimi, të votojnë për pagat e punëtorëve që të marrin një rritje prej të paktën njëqind eurove duke i liruar nga pagesa e kontributeve. Sot është koha për të zgjedhur nëse jeni pro apo kundër punëtorëve. Zgjedhja juaj nëse jeni pro apo kundër punëtorëve nënkupton se në cilin drejtim Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të krijojë politikë në të ardhmen”, tha Sllobodan Trëndafillov.
Propozimi i LSM-së është që për këto 6000 denarë të mos paguhen kontribute deri në një vit. Ata besojnë se në anën e tyre është fakti që Qeveria ka llogaritur tashmë kontributet shtesë në buxhetin e vitit 2025, kështu që lirimi nga pagesa apo subvencionimi nuk do të ndikojë në të hyrat në thesarin e shtetit.
Qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës është se gjithçka varet nga marrëveshja e ndërsjellë mes dy prej tre palëve në Këshillin Ekonomik dhe Social (KES).
“Ministria e Ekonomisë dhe e Punës dhe Qeveria, në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social, do t’ua lënë sindikatave dhe punëdhënësve që të bien dakord për pagën minimale. Çdo zgjidhje që do të miratohet dhe harmonizohet dhe në përputhje me mundësitë fiskale të Buxhetit do të mbështetet nga ne”, tha ministria e Ekonomisë dhe punës.
Megjithatë, problem i madh për momentin është harmonizimi ligjor i pagës minimale, që duhet të bëhet deri më 25 mars. Ky rregullim është në pritje për shkak se Qeveria ka tërhequr anëtarët nga Komisioni për Përcaktimin e Përfaqësueshmërisë së Sindikatave, që do të thotë se aktualisht nuk ka anëtarë sindikalë në KES, andaj nuk mund të jepet konkluzioni sipas ligjit për shumën për harmonizim. Trëndafillov akuzoi për ndërhyrje në organizatat sindikale.
“Sot fatkeqësisht punëtorët ndoshta nuk kanë aq problem me qeverinë dhe me punëdhënësit sa kanë me disa sindikalistë që punojnë në dëmin e tyre, punojnë që paga minimale të mos rritet, punojnë që që të mos marrin përfaqësim dhe punojnë për të bërë ndërhyrje në organizatat sindikale sidomos në nivel lokal dhe në disa ministri, duke menduar se në atë mënyrë duke u gjunjëzuar para funksionarëve dhe kabineteve të funksionarëve do të arrijnë diçka por në dëm të punëtorëve. Nga gjunjëzimi vetëm dhembin gjunjët”, tha Sllobodan Trëndafillov
Nëse ka dëshirë që të respektohet afati ligjor për harmonizim, qeveria në dhjetë ditët e ardhshme duhet të delegojë anëtarë në Komisionin që e cakton përfaqësimin.