Policia Financiare ka dorëzuar tre padi penale në Prokurorinë Publike.
E para është ngritur ndaj Drejtorit të Radio Televizionit të Maqedonisë Marjan Cvetkovski, i cili ka marrë kredi pa pëlqimin e Kuvendit si themelues dhe pronar i RTVM-së. Për këtë e ka ndihmuar noterja Z.P. e cila po ashtu në mungesë të pëlqimit nga Kuvendit ka verifikuar marrëveshjet e lidhura.
“Gjatë vitit 2015 e ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke lidhur marrëveshje për kredi me një bankë komerciale vendore në vlerë prej 140 milion denarëve, me çka për sigurimin e kredisë ka lidhur marrëveshje duke lënë peng gjithë pasurinë e tundshme dhe patundshme në pronësi të NRP Radio Televizioni i Maqedonisë Shkup në vlerë totale prej 294 milion e 459 mijë e 822 denarë, gjegjësisht ka lënë peng pronë me vlerë më të madhe ga vlera e kredisë së marrë”, theksoi Daniella Vellkovska nga Policia Financiare.
Padia e dytë penale është ngritur ndaj Kryetarit të Bordit Drejtues të “TE-TO – SH.A Shkup” Vadim Mihajllov, gjykatësit S.T për falimentim të rrejshëm, noterit S.S si dhe 4 personave të tjerë.
“Me veprat kriminale të sipërpërmendura, të kallëzuarit kanë mundësuar që personi juridik “TE-TO – SH.A Shkup” të përvetësojë pronë në mënyrë joligjore, papërshtatshme, falimentim dhe pamundësi për t’i paguar detyrimet me vendim të plotfuqishëm ligjor me çka kanë i sjellë dëm aksionarit, kreditorit, të personit të kallëzuar juridik, “Ngrohtorja SH.A Shkup” me vlerë të përgjithshme prej 721 milion e 683 mijë e 587 denarë”, tha Daniella Vellkovska.
Në padinë e tretë penale, i kallëzuari i parë është Shaban Memeti, ushtrues detyre Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik Shkup. I padituri i dytë është V.S me detyrë udhëheqës i sektorit për logjistikë dhe punë ligjore financiare si dhe Z.B me detyrë si referent i pagesave. Sipas Policisë Financiare ata nuk kanë ndërmarrë masa juridike për pagesën e kërkesave të institutit në vlerë prej mbi 40 milion denarëve, të cilat mjete i kanë lënë të vjetërsohen dhe më pas të fshihen në vitin 2017.
Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muharremi paralajmëroi edhe publikimin e padive të tjera, për shkak se deri në Prokurori tashmë kanë dorëzuar gjithsej 28 padi penale, kundër 51 personave fizik dhe kundër 28 personave juridik. Të gjithë këta dyshohen të kenë kryer në total 48 vepra penale, që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të vendit me mbi 8 miliard denarë.
Përgatiti: Besir Arifi
