Padi penale kundër 8 të punësuarve në MPB! Dyshohen se kanë marrë të holla për lëshim të patentave

TË FUNDIT

Suspendim nga puna dhe procedurë disiplinore për 8 të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kundër të cilëve është ngritur padi penale për rastin me lëshimin e paligjshëm të patentave shoferi, bëri me dije ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. Reparti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, deri në Prokurorinë Publike Themelore, përveç për 8 të punësuarit në këtë dikaster, ka ngritur padi penale edhe kundër 28 personave të tjerë.

 “Përmes veprimeve korruptuese, keqpërdorimit të postit zyrtar dhe autorizimeve ose punë e papërgjegjshme në shërbim, është e vërtetë se kemi hetim për 8 persona që janë të punësuar në MPB të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë marrë pjesë në këto aktivitete joligjore për dhënien e patentë shoferit personave që nuk kanë kaluar provimin për vozitje”, deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas MPB-së, zyrtarët e denoncuar kanë punuar në Repartin për Punë Administrative dhe dyshohen se kanë marrë të holla për të lëshuar patenta shoferi. Kanë përpiluar dokumente në mënyrë elektronike duke përdorur të dhëna të rrejshme, pastaj për të njëjtat kanë dhënë miratim që të përpunohen, pas çka qytetarët pa e kaluar provimin e vozitjes kanë marrë patenta. Spasovski nuk deshi të zbulojë hollësira lidhur me atë deri në cilin nivel të hierarkisë ka pasur njerëz të përfshirë, vetëm tha se hetimi për këtë rast është në procedurë të sipër.   

 “Duke pasur parasysh faktin që ende po punohet në këtë lëndë, në hetimin, unë nuk do të jepja më shumë të dhëna, do të arrijmë deri te të gjithë që janë munduar ta keqpërdorin postin e tyre zyrtar dhe autorizimet pa marrë parasysh se në çfarë posti në MPB gjendet, ndërsa numrin do ta kumtojmë në momentin kur kjo do të mund të kumtohet”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme – Oliver Spasovski.

Spasovski paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë rast i keqpërdorimit të postit zyrtar, posaçërisht veprimet e tilla korruptuese. Paditë penale për 8 të punësuarit në MPB janë për keqpërdorim të postit zyrtar dhe autorizimeve, punë të pandërgjegjshme në shërbim dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa 28 personat e tjerë dyshohen për nxitje gjatë kryerjes së veprës penale.