PADI KUNDËRVAJTËSE PËR DREJTORIN E AUV, ANTIKORRUPSIONI PRANOI NJË NGA TRE ANKESAT E VMRO-DPMNE-së

TË FUNDIT

Drejtori i Agjencisë për ushqim dhe veterinari mori padi kundërvajtëse dhe do të marrë dënim në të holla prej një mijë deri dy mijë euro për shkak se gjatë zgjedhjeve ka sjellë vendim për largim nga puna për një punonjës në Agjencinë, që është në kundërshtim me Kodin Penal. Siç theksuan antikorrupsionerët gjatë procesit zgjedhor nuk mund të fillojë procedurë as për punësim e as për largim nga puna për të punësuarit në institucionet shtetërore. Komisioni i shqyrtoi tre ankesat që i dorëzoi VMRO-DPMME, prej të cilave pranoi vetëm një, atë për komunën e Kumanovës, sepse nuk kanë lejuar në një nga hapësirat të mbahen takimet parazgjedhore të kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski. Për këtë reagoi kryetari Maksim Dimitrievski i cili mori pjesë në seancën dhe tha se ato hapësirat nuk janë të tyre por u janë dhënë në përdorim, por ankesa e tij nuk u pranua.

“Faktet tregojnë se është pronë e Republikës së Maqedonisë dhe se i është dhënë komunës në përdorim. Në fotografitë shihet se bëhet fjalë për sallën e Këshillit të Komunës së Kumanovës ku ka fotografi dhe shihet emblema e Komunës. Do të thotë se është objekt komunal”, tha Shemshi Sallai, nga Komisioni Antikorrupsion.

“Prona për të cilën thoni se është pronë e Republikës së Maqedonisë, nga viti 2006 i është dhënë komunës së Kumanovës në përdorim. Kjo pronë asnjëherë nuk është vënë në fuqi. Për momentin këtë pronë e shfrytëzojnë disa parti politike”, u shpreh Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev dorëzoi kërkesë për hapjen e procedurave të reja lidhur me kryeministrin Zaev dhe familjarë të tij si dhe funksionarë aktual.

“Zoran Zaev është aboluar për krim në vlerë prej 8 milionë eurove për rastin Global dhe opinioni ende nuk ka informacione se si dhe sa kanë përfituar ai dhe partnerët e tij të biznesit që ishin aboluar për rastin Global”, potencoi Igor Jnaushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni e refuzoi ankesën e VMRO-DPMNE-së për komunën e Shuto Orizarës ku thuhej se është shfrytëzuar vetura e komunës gjatë zgjedhjeve për takime me qytetarët, por nga fotografitë e dorëzuara nuk mund të vërtetohej nëse bëhet fjalë për automjetin e komunës. U refuzua edhe ankesa për komunën e Velesit për asfaltimin e rrugës në fshatin Cërkvino gjatë fushatës me arsyetim se ky aktivitet ka qenë i planifikuar me planin vjetor të komunës. Komisioni e refuzoi edhe ankesën që e dorëzoi shtabi zgjedhor i Pendarovskit, për shkeljen e kodeksit për zgjedhje fer dhe demokratike. Në ankesën thuhet se kundër- kandidati Gordana Siljanovska  ka përdorur fëmijë për qëllime politike duke i kyçur në aktivitetet e saj gjatë fushatës, ndërsa komisioni u shpall veten jo kompetente për këtë lëndë dhe i drejtoi tek Avokati i Popullit.

Përgatiti: Svetllana Unkovska