Pacientët me kancer kërkojnë terapi, jo privilegje! Ministria premton zgjidhje, klinika thotë se problemi po tejkalohet

TË FUNDIT

“Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë terapi për kurimin e kancerit” – Me këto parulla në duar, u protestua paraditen e së enjtes para Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup.

Nga Shoqata “Hema-Onko” ngritën shqetësimin që pacientët me tumore të ndryshëm, përveç luftës për jetë, po përballen në vazhdimësi edhe me mungesë të terapive  vitale si “Fulvestrant” dhe “Zoladex”. Thonë se për disa javë të tëra munguan edhe një pjesë e terapive bazike të citostatikëve, të cilët janë gjithashtu në listën pozitive.

“Në këtë shtet në 5 vitet e kaluara pacientët onkologjik në vazhdimësi, pa dallim se kush ishte ministër, kush ishte në pushtet, na mbajnë pezull me terapitë. Ajo që duam dhe e dimë është që nuk kërkojmë privilegje, vetëm duam terapinë ta kemi në kohë të vazhdueshme, për ta mundësuar funksionimin e këtij grupi duke ndihmuar njëri-tjetrin me këshilla psikologjike dhe të punojmë në parandalim”, theksoi Ana Marjanoviq, shoqata “Hema-Onko” .

Pas protestës, në takim u pritën nga zëvendësministri i shëndetësisë Jovica Andonovski, ku u diskutua për Ligjin e ri për barnave dhe me rekomandimet e tyre ranë dakord që të përfshihen në mënyrë aktive në hartimin e politikave dhe të zgjidhjeve ligjore që prekin drejtpërdrejt pacientët.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË:

-Në takim u shqyrtua gjendja me terapinë onkologjike, si dhe masat që po ndërmerren për tejkalimin e sfidave shumëvjeçare me të cilat përballen pacientët. U theksua se është siguruar një rritje rekord e buxhetit për onkologjinë dhe se po punohet për përmirësimin e qasjes dhe vazhdimësisë së terapisë.”

Pas takimit, Ana Marjanoviq nga “Hema-onko” kumtoi se përmes grupit “Fluturat” (Peperutki), do t’i informojnë pacientët se cila terapi do të mbërrijë në çfarë ore, në mënyrë që të mos shkojnë pa nevojë dhe të presin radhën për terapinë në këto temperatura të larta.

TV21 pyeti në Fondin Shëndetësor, nga ku thanë se i kanë lëshuar në kohë mjetet buxhetore të parapara për terapitë onkologjike dhe se faji duhet kërkuar tek furnitorët që kanë marr tenderin nga klinika. Ndërkohë, nga Klinika e Onkologjisë në Facebook njoftojnë që e kanë tejkaluar problemin.

KLINIKA PËR RADIOTERAPI DHE ONKOLOGJI:

-Është regjistruar një vonesë afatshkurtër në dorëzimin e një pjesë të vogël të preparateve që janë në listën pozitive të Fondit shëndetësor, si rezultat i disa rrethanave objektive, duke përfshirë rritjen e konsumit, rritjen e numrit të pacientëve, periudhën midis dy prokurimeve publike, si dhe një mungesë të pjesshme tek distributorët. Shumica e preparateve të nevojshme tashmë janë siguruar dhe dorëzuar në Klinikë, ndërsa sasitë e mbetura pritet të jenë në dispozicion gjatë kësaj jave.

Kujtojmë që udhëheqësia e kaluar e Klinikës tanimë po përballet me akuza në gjykatë për keqpërdorim të terapive onkologjike, ku mediat zbuluan skandalin me shitjen në të zezë të terapive të shtrenjta dhe mungesa e tyre ka pas qenë pikërisht për pacientët me kancer që ishin në sigurimin shëndetësor.