Dy ish-drejtorët e Onkologjisë, drejtori mjekësor, Nino Vasev dhe ai organizativ, Nehat Nuhiu nga viti 2017 deri në vitin 2022 kanë blerë barna pa tender dhe pa aprovimin e Fondit për Sigurimin Shëndetësor. Barnat i merrnin me revers duke shkaktuar dëm prej 1.817.570.000 denarëve ose rreth 30 milionë eurove. Ata dyshohen për 7 vepra penale lidhur me 7 blerje barnash. Ata, bashkë me tre mjekë onkologë, u përshkruanin pacientëve terapi mbi dozën e nevojshme, madje deri në 8 ampula, duke krijuar tepricë barnash.
Ka pasur edhe raste kur përshkruhej terapi shumë e shtrenjtë për pacientët që ishin në fazën përfundimtare dhe kur dihej se barnat nuk mund t’u ndihmojnë.
Me këtë, ata kanë siguruar tepricë të barnave, por ku kanë përfunduar këto barna ende nuk është zbuluar.
Është zbatuar edhe hetim lidhur me atë nëse këto terapi kanë përfunduar në tregun e zi në Kosovë. Doli se për këtë nuk ka asnjë provë, ndërsa priten informacione edhe nga kolegët nga Shqipëria.
Prokurorët Gavril Bubevski dhe Ana Gogovska Jakimovska, të cilët udhëheqin rastin, thonë se nuk ka dëshmi se pacientët kanë marrë tretje fiziologjike në vend të terapisë së nevojshme siç pretendohej më parë.
“Bëhet fjalë për veprën penale – mashtrim në shërbim. Kjo vepër penale është për të dy drejtorët, drejtorin organizativ dhe atë mjekësor, ndërsa për tre mjekët onkologë është për ndihmë në zbatimin e veprës penale në fjalë. Për drejtorin e atëhershëm mjekësor kemi edhe 7 vepra penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”, tha Ana Gogovska Jakimovska, prokurore publike.
Prokuroria deri te Gjykata Penale ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masave kundër dy drejtorëve.
“Prokuroria Publike deri te Gjykata Themelore Publike ka dorëzuar, deri te gjykatësi i procedurës paraprake dorëzoi propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj drejtorit mjekësor dhe drejtorit organizativ. Masat parashikojnë ndalesë për largim nga vendbanimi dhe vendqëndrimi, marrje të dokumentit të udhëtimit dhe ndalesë për lëshimin e tij, ndërsa për drejtorin e atëhershëm mjekësor në mënyrë shtesë është kërkuar edhe masë – largimi nga vendi i punës”, theksoi Ana Gogovska Jakimovska, prokurore publike.
Prokurorja Jakimovska tha se për këtë rast që e hapën në shtator të vitit të kaluar, janë ndërmarrë një numër i madh veprimesh dhe se kanë dokumentacion të vëllimshëm. Paralajmëruan se hetimi do të zgjerohet.
