Pa telefona, pa rrjete sociale, Franca vendos rregulla të reja për fëmijët

TË FUNDIT

Franca pritet të ndërmarrë masa të reja për kufizimin e përdorimit të teknologjisë nga fëmijët dhe adoleshentët, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila ka ndaluar aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Macron deklaroi se nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor do të ndalohet përdorimi i telefonave celularë në shkolla, si dhe aksesimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje. Emocionet e tyre nuk janë për shitje dhe nuk duhet të manipulohen, qoftë nga platformat amerikane apo nga algoritmet kineze”, u shpreh Macron.

Presidenti francez bëri thirrje për përshpejtimin e procedurave ligjore, duke iu referuar të dhënave shqetësuese të një raporti të autoritetit shëndetësor francez. Sipas këtij raporti, një në dy adoleshentë kalon nga dy deri në pesë orë në ditë në telefonin celular, ndërsa rreth 90 për qind e fëmijëve të moshës 12 deri në 17 vjeç kanë akses në internet përmes telefonave.

Po ashtu, raporti tregon se 58 për qind e tyre i përdorin pajisjet kryesisht për rrjete sociale, çka sipas autoriteteve përbën rrezik për zhvillimin mendor dhe emocional të të rinjve.

Autoritetet franceze theksojnë se qëllimi i këtyre masave është mbrojtja e shëndetit mendor të fëmijëve, rritja e përqendrimit në shkolla dhe kufizimi i ndikimit të algoritmeve digjitale në moshë të hershme.