“Pa Aleancën në qeveri shkohet në zgjedhje”/ Taravari: Ne i japim shans shumicës që të sigurojë 80 vota

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët po pret nëse partitë në pushtet do t’i plotësojnë kërkesat e tyre për hyrje në Qeveri. Nëse kjo nuk ndodh kreu i kësaj partie Arben Taravari thotë se me shumë gjasa do të shkohet në zgjedhje.

“Nëse nuk hyn ASh në Qeveri, 100% nuk sigurohen 80 deputetë, dhe shkohet me probabilitet në zgjedhje, në qoftë se hyjmë i japim shansa që të krijohet 80. A do të krijohen, nuk varet prej nesh.”- deklaroi Arben Taravari – kryetar i ASH-së

Taravari thotë se kërkesat e tyre nuk janë kadrovike, por më shumë programore. Megjithatë apetiti i ASh-së nuk duket të jetë i vogël.
“Nuk ka më ministri për byrek, ju e dini se nuk pranojmë aso ministrishë.”

Ministria e Shëndetësisë është në shënjestër, por Alternativa nuk lëshon pe. Sekretari i kësaj partie paralajmëron Taravarin se mund t’ia bëjnë të njëjtin skenar sikurse në 2017.
“Nuk ka problem për neve si parti, ne shkojmë në opozitë, bilës edhe rritemi, ajo nuk prish pune, mirëpo në kohën kur ia bënë ASh-së në vitin 2017, ia bën Alternativës e BESËs në 2021, sot ia bën Alternativës. Unë kam frikë se kjo i shtyn partitë shqiptare që as mos të marrin pjesë në zgjedhje më, sepse çfarë mbetet kuptimi të marrësh pjesë në zgjedhje edhe në qeveri ku rregullat janë, të mos ketë rregulla.”- nuk dekalroi Zeqirija Ibrahimi – sekretar i AAA.

E për VMRO-DPMNE-në hyrja e ASH-së në Qeveri është e çuditshme. Nënkryetari i kësaj partie Aleksandar Nikollovski mendon se Taravari edhe mund të jetë shantazhuar.
“Unë njoh një tjetër Arben Taravari që nuk është ky që e shoh në intervista, nuk e di çfarë është arsyeja, a është i shantazhuar me diçka, a ka ndonjë gjë që nuk e dimë, përmenden lloj-lloj bisedash mes politikanëve, por nuk dua të spekuloj. Unë nuk mundem nga intervistat të kuptoj asgjë meqë fjalinë e parë që e thotë e demanton me të dytën, po hyjnë e nuk po hyjnë, po negociojnë e nuk po negociojnë, jo për resorë e program nuk e di.”- deklaroi Aleksandar Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNË-së.

Rritja e shumicës do ta rriste efikasitetin e punës së Kuvendit dhe institucioneve vlerëson kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Gjithmonë ka mundësi dhe nevojë për zmadhimin e një blloku të caktuar që ka vizion dhe synim për të hyrë subjekte të reja politike, tashmë e kam thënë këtë. Kjo do të thotë rritje e efikasitetit të punës së Kuvendit, duke pasur parasysh se kemi një numër të madh ligjesh reformuese që janë pjesë e anëtarësimit në Bashkimin Europian, sepse po ecën skriningu, por pasi klasterët përfundojnë me skriningun, do të dihet cilat reforma do të duhet të bëhen në bazë të raporteve të BE, të parat do të vijnë pas tre muajsh.”- pohoi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Mundësia për zgjerimin e shumicës parlamentare është rritur edhe më shumë, kjo pasi ASh-ja zgjodhi edhe ekipin negociues për hyrje në Qeveri. Kryesia qendrore e autorizoi këshillin drejtues të partisë për të vazhduar negociatat e mëtutjeshme. Pritet që brenda kësaj fundjave të takohen sërish krerët e partive në pushtet me kreun e ASh-së.