Zëvendëskryetari për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në rolin e Koordinuesit Kombëtar për menaxhim me ndihmën e huaj në vend, ka realizuar një video-konferencë online me donatorët bilateral. Siç informojnë nga kabineti i tij, Osmani shkurtimisht ka folur për aktualitetet e fundit që kanë të bëjnë me COVID-19 si dhe për masat dhe aktivitetet e Qeverisë për ballafaqim me këtë pandemi globale.
“Më lejoni që në fillim, në emër të Qeverisë, të shpreh mirënjohjen time të madhe për ndihmën e deritanishme e cila ka arrirë nga të gjitha anët e botë. Kjo tregon se edhe krahas intensitetit të fuqishëm të krizës, kjo nuk i ndryshon marrëdhëniet afatgjate miqësore dhe bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm. Sinqerisht besoj se këto aktivitete dhe marrëdhëniet e ndërsjella të suksesshme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me çka, jo vetëm që do të tejkalohet më lehtë kriza, por me përpjekje të përbashkëta, me bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë, do të dalim edhe më të fuqishëm nga ajo” ka thënë Osmani, raporton TV21.
Nga zyra për shtyp e sekretariatit po ashtu informojnë se gjatë Konferencës së Donatorëve, Osmani ka prezantuar prioritetet dhe nevojat e vendit në luftën me epideminë COVID-19, si dhe për ballafaqimin me sfidat që dalin nga kjo krizë. Gjitashtu zëvendëskryeministri ka prezantuar edhe analizat dhe parashikimet e Qeverisë për pasojat socio-ekonomike që priten, si dhe mundësitë për donatorët që përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit bilateral t’i ndihmojnë vendit në ballafaqim edhe me këto sfida./TV21


