Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po ndërhynë në zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, duke u përpjekur të blejë vota.
Në një intervistë për A2 CNN, Osmani tha se Serbia po shkel parimin e fqinjësisë së mirë.
“Është një prej ndërhyrjeve më flagrante që ka ndodhur në proceset zgjedhore në Kosovë edhe pse ato kanë qenë të vazhdueshme dhe ky nuk është vetëm konstatim i yni, por ka qenë konstatim i vazhdueshëm edhe i institucioneve evropiane dhe atyre amerikane. Serbia vazhdimisht nëpërmjet njerëzve që i kontrollon në Kosovë ka ndërhyrë madje edhe kanë përdorur edhe metoda të dhunshme dhe kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që të marrin vota dhe t’i drejtojnë ata ku ata dëshirojnë. Tash po e shohim që po tentojnë edhe të bëjnë edhe blerje të votave duke premtuar gjëra të cilat nuk i takojnë Serbisë sepse është shtet tjetër dhe kjo sipas çdo perimetri të drejtës ndërkombëtare është në kundërshtim të plotë me parimin e fqinjësisë së mirë sepse siç e dini e drejta ndërkombëtare parandalon apo ndalon ndërhyrjen në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha ajo.
Sipas Osmanit, Serbia po trimërohet nga fakti që nuk po ndëshkohet sa herë që dëmton Kosovën.