Osmani: Serbia në Ballkan po luan sipas skemës së Putinit, po bashkëpunon me Wagnerin

TË FUNDIT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po luan sipas skemës së Putinit. Ajo ka shtuar se Rusia dëshiron të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor, për ta larguar atë nga Ukraina.

Ndërsa ka thënë a se Serbia po kërcënon sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe po bashkëpunon me grupin famëkeq rus të mercenarëve “Wagner”.

Këto deklarata Osmani i ka bërë në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

“Nuk mund të jap detaje sepse janë informacione të klasifikuara. Por ne punojmë me aleatët tanë perëndimorë për të siguruar që këto paraushtarakë të lidhur me Wagnerin të dështojnë në planin e tyre për të destabilizuar Kosovën”, ka thënë Osmani përcjell portali tv21.tv

E pyetur se pse kriza ka shpërthyer sërish pikërisht tani, Osmani ka renditur disa arsye.

“Para së gjithash, po rritet ndikimi rus në Serbi: Beogradi ka dhënë dritën jeshile për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas SHBA-së nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane. Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat e veriut të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, të armatosura nga Vuçiq: kriminelët serbë që prej kohësh janë në listat e zeza të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, ajo që quhet mafia ballkanike dhe që nuk e pëlqen vendosmërinë me të cilat ne po e luftojmë dhe prandaj përdorim dhunë ndaj nesh. Vuçiqi po luan rolin e ‘drama queen’, është edhe zjarrvënës dhe zjarrfikës: fillimisht i përdor këto banda për të na destabilizuar, pastaj shkon vërdallë duke folur për paqe”., ka thënë ajo.

Ajo është shprehur optimiste se Kosova mund të arrijë një marrëveshje me Serbinë.

“Nga këndvështrimi ynë, është. Por për të kërcyer një tango duhen dy. Dhe Serbia tani për tani dëshiron vetëm të krijojë krizë pas krize”,  ka thënë presidentja Osmani.

Sa i përket çështjes së veriut, Osmani ka thënë se Serbia po përdor strategjinë e njëjtë që Mosak përdori në Ukrainë në 2014

“Atje, ajo që po bën Beogradi me serbët është identike me atë që bëri Moska në vitin 2014 në Ukrainë: agjitimi i një pakice, duke thënë se po lëviz për arsye humanitare dhe më pas aneksohet”, ka shtuar ajo.

Osmani siguroi se të drejtat e pakicave respektohen.

“Kushtetuta jonë mbron pakicat më shumë se çdo tjetër në Evropë. Ne u frymëzuam nga traditat më të mira të të drejtave të njeriut, sepse donim të ishim të sigurt se të gjithë ndiheshin të sigurt, të mirëpritur, duke përfshirë: ne ishim të parët që u diskriminuam, ne e dimë se çfarë do të thotë. Serbët nuk kanë pasur kurrë probleme pas luftës: sigurisht që ka pasur incidente, por ato ndëretnike janë 0.03% e totalit dhe janë në rënie. Problemi është se serbët nga veriu janë në kufi dhe Vuçiq i përdor si pengje: ata nuk kanë frikë nga ne, ata kanë frikë nga bandat serbe që hyjnë në shtëpitë e tyre, u djegin makinat, kërcënojnë fëmijët e tyre. Një situatë shumë e vështirë”., ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe për gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë, duke u shprehur e bindur se UÇK-ja bëri luftë çlirimtare

“Drejtësia dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare: agresori ishte Serbia, ne u sulmuam. Dhe UÇK-ja bëri luftë çlirimtare për të na mbrojtur. Por ne nuk do të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në punën e Gjykatës dhe do të respektojmë vendimin përfundimtar”, ka thënë Osmani./21Media

error: Content is protected !!