Osmani përpiqet ta arsyetojë Makronin: Presidenti francez nuk e ka demantuar Mishelin

TË FUNDIT

Deklaratat e ndryshme të kryetarit të KE, Sharl Mishel, të presidentit francez, Emanuel Makron, si dhe të Komisionit europian në lidhje me zgjerimin, sipas ministrit për punë të jashtme, Bujar Osmani, nuk kontestohen fare, por se Makron ka thënë se nuk do të hyjnë në BE të gjithë vendet përnjëherë. Deklaratat e Makronit dhe Komisionit Europian vijuan pasi që Mishel në Samitin e Bledit tha se BE duhet të përgatitet për anëtare të reja deri në vitin 2030.

“Makron ka folur për shpejtësinë, në aspekt të asaj që nuk do të hyjnë të gjithë vendet përnjëherë, por me shpejtësi të ndryshme varësisht se kush dhe kur do të jetë i gatshëm. Unë kisha takim dhe i kam pyetur pse dy deklarata në pamje kontradiktore mes dy liderëve të rëndësishëm të BE-së. Përgjigja ishte se Makron e ka pasur fjalën për shpejtësinë. Nëse Maqedonia është e gatshme para vitit 2030 mundet edhe të bëhet anëtare para asaj, se në mënyrë ad-hock nuk do të hyjnë të gjithë vendet”, tha Bujar Osmani, ministër për Punë të Jashtme.

Osmani tha se përmes non-paper-it do të kërkohet integrimi në BE para anëtarësimit.

“E dini që ne e promovojmë konceptin integrim para anëtarësimit. Që do të thotë nëse viti 2030 është fiks, të bëhemi pjesë e Unionit edhe para anëtarësimit. Përkatësisht siç plotësojmë një kapituj të bëhemi pjesë e asaj politike të Unionit, hyjmë në tregun e vetëm, kemi qasje deri te fondet edhe para anëtarësimit, ne tashmë do të jemi në Union thjeshtë nuk do të kemi të drejtë vote”, theksoi Bujar Osmani, ministër për Punë të Jashtme.

Deklaratën e tillë Osmani e dha në konferencën e përbashkët për media me ministren e jashtme të Kanadës, Melani Zholi. Ajo theksoi se Kanada edhe pse nuk është pjesë e BE-së, fuqishëm e mbështet perspektivën europiane të Maqedonisë.

“Për rrugën drejt BE-së do të doja të theksoj sfidën që është para shtetit tuaj. Kanada nuk është anëtare e BE-së, por jemi miq të afet të BE-së dhe të Maqedonisë së Veriut. Fuqishëm besojmë se e ardhmja e RMV-së është në BE dhe mund të mbështetni në mbështetjen tonë. Do të doja të ju inkurajoj që të vazhdoni përpjekjet tuaja për aderim drejt BE-së”, pohoi Melani Zholi,  MPJ e Kanadës.

Ministrja kanadeze Zholi pas takimit me Osmanin, kishte takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministren e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.