Identiteti maqedonas nuk është problemi kryesor që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë, deklaroi ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Ai thotë se problemi kryesor është udhëzuesi për zbatimin në praktikë Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë të nënshkruar mes Shkupit dhe Sofjes.
“Mendoj se tema kryesore nuk janë çështjet e identitetit, por udhëzuesi i cili do të krijojë parashikueshmëri në zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi. Udhëzuesi për ne është zgjidhje e pranueshme, i cili do të ofrojë atë parashikueshmëri. E kemi biseduar atë plan aksionar në disa raste, por mendoj se më shumë është detyrim i shteteve-anëtare të tregojnë ku do ta vendosin atë udhëzues dhe nëse do ta mbrojnë procesin evropian si të tillë”, tha Osmani.
Por kjo deklaratë është ndryshe nga deklaratat të cilat janë dhënë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Disa herë me radhë kryeministri Zoran Zaev ka potencuar se nuk do të negociojnë për çështjet e identitetit dhe gjuhës maqedonase. Për këtë sot foli edhe zëvëndës/kryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov.
“Pozicioni ynë bazohet në parimin e qartë si kristali – kombi maqedonas, gjuha maqedonase, këto çështje që janë çështje para nesh, për kombin tonë, një hapësirë intime, çështje e brendshme dhe në raportet ndërkombëtare, në të drejtën ndërkombëtare nuk janë lëndë e pranimit dhe mospranimit. Pranohen shtetet, pranohen qeveritë, por kjo është shprehje e të drejtës sovrane e vetëpërcaktimit”, tha Dimitov.
Dimtrov mes tjerash tha se Bashkimi Evropian më shumë se një vit nuk ka qenë në gjendje të zbatojë vendimin e vet për të filluar negociatat me Maqedoninë. Ndryshe Maqedonia duhet të paraqesë një udhërrëfyes që përmban kërkesat e deklaratës bullgare, e cila u miratua nga Parlamenti në vitin 2019. Dimitrov thotë se zbatimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mund të monitorohet përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
