Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka komentuar deklaratat e fundit të ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe planin aksionar për bashkëpunim mes të dy shteteve.
Ka njoftuar, se është në komunikim të vazhdueshëm me homologen bullgare dhe se 99% e planit aksionar tashmë është finalizuar.
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me ministren Zaharieva, por edhe shërbimet tona komunikojnë, si në pjesën e finalizimit të tekstit, dhe meqë finalizimi i tekstit është kompleks, sepse përfshinë shumë institucione, sepse çdo institucion në pjesën e vetë duhet të tregojë se a është ajo në rregull, a duhet të ketë ndonjë ndryshim. Por, unë mendoj se 99% e planit aksionar është finalizuar. Presim ta finalizojmë pjesën që ka mbetur dhe të caktojmë datën”, tha Osmani, transmeton TV21.
Data siç tha Osmani, do të caktohet varësisht agjendës së dy qeverive.
Ndërkaq i pyetur në mënyrë shtesë se çfarë përmban 1 përqindëshi i planit aksionar që nuk është finalizuar, Osmani me përgjigje se:
“Dallimet janë teknike. Do t’jua them një shembull. Njëra palë kërkon marrëveshje të re për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës. Tjetri institucion thotë se ka marrëveshje tashmë dhe a duhet të jetë 2 apo 3-vjeçare. Për këto lloje të detajeve flitet. Megjithatë nuk kemi dallime thelbësore sa i takon qasjes dhe përmbajtjes që duhet të jetë pjesë e planit aksionar”, sqaroi Osmani.
Është shprehur optimist, se pjesa e mbetur do të finalizohet gjatë këtyre ditëve.
Ndërkaq dje u paralajmërua se së shpejti do të realizohet takimi mes Osmanit dhe Zaharievës, por nuk është publikuar datë e mundshme kur mund të ndodh i njëjti./TV21
