Osmani: Kot është zvarritur poliklinika në Saraj, Hoxha: Nëse TV21 s’e kishte ngritur si çështje, procedura s’do përshpejtohej

TË FUNDIT

Pas raportimit të TV21 për poliklinikën e premtuar në Saraj, si duket procedurat për nisjen e ndërtimit të saj janë përshpejtuar. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani në emisionin Click Plus tha se të premten do të ketë auksion për të zgjedhur kompaninë e ndërtimit.

Ai tha se ngecja e këtij projekti ka qenë e kotë me arsyetimin e se autoritet janë marrë me çështjen pandemisë.

“Të tregoj drejt nuk e di pse është vonuar, një ngecje administrative e kotë në ministrinë e shëndetësisë me arsyetim se jemi marr shumë me pandeminë dhe nuk kanë pasur mundësinë të organizojnë auksionin. Mirëpo sot ministri më premtoi se të premten do të ketë auksion për të zgjedhur kompaninë”, tha Bujar Osmani zv-kryeministër.

Arjanit Hoxha, sekretar i gjeneral i Lëvizjes Besa, tha se zvarritja bëhet për t’i lënë ndërtimet të nisin sa më afër datës së zgjedhjeve, ndërkohë tha se presioni mediatik përshpejtoi procedurën për fillimin e punimeve.

“Dhe unë ju garantojë se nëse TV21 nuk e kishte ngritur si çështje problematike nuk besoj se do të ishte përshpejtuar deri në këtë fazë uroj të jetë si e tha zv kryeministri. Mirëpo e njëjta situatë është edhe me ligjin për inspeksionin për gjuhën shqipe, po lihen çështjet të cilat duhet menjëherë të kryen. Krijohet plani strategjik dhe për sa kohë kryhet. Pse vetëm tek pjesa  shqiptarët lihet përshtypje se BDI  qëllimisht i lë qëllimisht  që kur të vijnë zgjedhjet, pastaj të thënë bëra edhe këtë edhe këtë projekt, ose U tha u bë”, tha Arjanit Hoxha, sekretar gjeneral i Lëvizjes Besa.

Qytetarët e Sarajit ditëve të fundit paralajmëruan se në shenjë proteste do ta bllokojnë autostradën Shkup-Tetovë. Për këtë mbrëmë Kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti në Facebook shkroi se të hënën do të mbahet ankandi për procedurën e prokurimit dhe zgjedhjen e ndërmarrjes e cila do të realizoje ndërtimin e kësaj poliklinike, duke ftuar qytetarët në anulimin e protestës.

Ndryshe në shkurt të vitit 2019 Blerim Bexheti bashkë me ish zëvendësministrin e shëndetësisë Asim Musa u thanë banorëve të Sarajit se shumë shpejt do të bëhen me poliklinikë.