Kodrën e Diellit do ta marrë ai që ka ofertën më të mirë, thotë ministri i jashtëm Bujar Osmani. Ai sqaron se dhënia e Kodrës së Diellit me partneritet publik-privat ende nuk ka përfunduar, dhe investitori do të vendoset nga oferta më e mirë.
“Ata të cilët do t’i plotësojnë kushtet, ata të cilët do të jenë më të mirë në ofertë do ta marrin në koncesion Kodrën e Diellit. Atë çfarë thash unë dje se në aktivitetet e mia diplomatike unë prezantoj çdo kund Kodrën e Diellit si një potencial të rëndësishëm për investim por edhe si qasje rajonale bashkë me Kosovën. Kush do të jetë fituesi do të shohim në fund të procesit i cili do të jetë transparent”, tha Osmani.
Kolegu i Osmanit, Kreshnik Bekteshi doli me deklaratë ndryshe. Ai thotë se investitori është i njohur por se nuk guxon ta zbulojë emrin për momentin. Thotë se është kompani serioze e cila menaxhon ski-qendra në Bashkimin Evropian.
“Kemi pranuar ofertë konkrete nga një kompani e mirënjohur e cila menaxhon me ski-qendra në Bashkimin Evropian. Ne do ta shqyrtojmë propozimin e tyre dhe pasi të përfundojnë negociatat, në momentin e duhur që do të vendosë edhe kompania e cila është e interesuar, me siguri që do ta tregojmë edhe emrin e investitorit potencial në Kodër të Diellit”, u shpreh Bekteshi.
Me reagim doli Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
“Kodra e Diellit vazhdon të shkatërrohet! Asgjë ska ndryshuar. Qeverisja VMRO-BDI planifikoi investim dhe krijim të qendrës së skijimit në malin Kozhuv! Cila është logjika e krijimit të qendrave të reja të skijimit ndërkohë që ekzistueset shkatërrohen nga mosinvestimi?”, tha Aziri.
Në ndërkohë, Bujar Osmani vazhdon me ekskursionet e tij nëpër qendra luksoze botërore!
Ndërkaq nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” thonë se ende nuk ka përfunduar ndarja nga “Elem Turs” e që aktualisht funksionon nën “AD ESM”. Bëjnë thirrje deri te institucionet perkatëse të japin përgjigje dhe përkrahje të iniciativës për ndarjen nga e njëjta ombrellë e cila po e rëndon zhvillimin e kësaj qendre atraktive.
