Osmani kërkon takim liderësh tek Presidenti! Kërkon konsensus shtetëror para nisjes së negociatave me BE-në

TË FUNDIT

Këto ditë pritet që Komisioni Evropian ta finalizojë draft-versionin për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. E njëjta do t’u jepet vendeve anëtare për rishikim. Por para se vendi të nisë procesin e negociatave, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani kërkon konsensus shtetëror mes të gjitha partive, për të ndërtuar pozicione të njëzëshme shtetërore.

“Bëj thirrje deri tek Presidenti i vendit dhe tek partitë politike për t’u ulur, për të dhënë dorën njëri tjetrit për një marrëveshje shtetërore për qasje të përbashkët në procesin e negociatave. Momenti është zgjedhor për shkak se jemi 1 ditë para publikimit të propozim-kornizës negociues, proces që do të kalojë nëpër një proces të harmonizimit me vendet anëtare por edhe në vigjilje të konferencës së parë ndërqeveritare ku do të duhet që shefi i delegacionit shtetëror të shkojë para BE-së dhe të tregojë pozicionet shtetërore, jo pozicionet politike apo të një institucioni,” tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministër.

Presidenti Stevo Pendarovski është i gatshëm për ta thirrur këtë takim nëse për këtë çështje pajtohen liderët.

“Për çështjet që janë me rëndësi strategjike për shtetin, si të brendshme po ashtu edhe në planin e jashtëm, Presidenti është i gatshëm të thërrasë takim liderësh, nëse për ato çështje ka pajtueshmëri nga partitë politike. Por, në këtë periudhë fokusi kryesor është vendosur tek përballja me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe caktimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare,” u tha nga Presidenca e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri sot po ashtu kërkoi rikthim të trupave parlamentar, Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komisionin për Çështje Evropiane, të cilët për momentin nuk funksionojnë për shkak se Kuvendi është i shpërndarë. Po ashtu bëri thirrje që edhe opozita të jetë pjesë e procesit të negociatave, dhe atë jo vetëm përmes parlamentit por duke qenë pjesë e strukturës.

Pritet që draft versioni për kornizën negociuese të përcillet edhe me një mini-raport për gjendjen e progresit të vendit dhe t’u dorëzohet ambasadorëve të vendeve anëtare të njohur si Koreper.